Analisti Blerim Burjani, në një intervistë për Ekonomia Online, ka komentuar ngjarjet e fundit politike, ku e ka cilësuar si jo të duhur zgjedhjen e Lumir Abdixhikut si kryetar të LDK-së, pasi sipas tij ai nuk do të mund t’i bëjë ballë proceseve që do të ballafaqohet Lidhja Demokratike e Kosovës.
Burjani po ashtu e cilëson si jo demokratike Kuvendin Zgjedhor të LDK-së.
“U tha që do ketë transparencë tek LDK-ja, vota e fshehtë dhe nuk pamë transparencën e këtij kuvendi, dhe nuk u bë publike puna e Kuvendit Zgjedhor dhe ishte e papritur nga publiku sidomos nga kjo parti. Mbyllja e dyerve nuk quhet demokratike për opinionin publik. Megjithatë u zgjedh Lumir Abdixhiku kryetar i ri i LDK-së, edhe pse jo vetëm për Lumirin por edhe për kandidatët e tjerë, këta që po shihen nuk janë të duhurit që mund t’i bëjnë ballë proceseve që do të vinë dhe jo vetëm brenda LDK-së por edhe procesit të themelimit të institucioneve që do të jetë jashtëzakonisht vështirë për të qenë një opozitë ballafaquese. Shumë ka rëndësi se kush është ballafaquese dhe kush është lider, e lideri duhet të jetë i përgatitur mirë, njohës i mirë i rrethanave vendore”, tha ai.
Tutje, Burjani foli edhe për hapjen e ambasadës në Jerusalem, duke theksuar që është një ngjarje historike hapja e kësaj ambasade dhe meritat kryesore i ka ShBA-ja.
“Unë konsideroj që është një ngjarje historike hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe gjithashtu është një e arritur e madhe e politikës ndërkombëtare, përkatësisht ShBA-së, dhe këtu të gjitha meritat i kanë ato. Edhe Kosova ka meritat e saj në përkrahje të një strategjie të konfirmuar nga ShBA-ja dhe më gjerë që do hapen ambasadat tjera aty, pra politika amerikane po konfirmohet. Nuk po them sa e kemi meritua por me siguri na për me meritua më shumë prej miqve tonë duhet pak apo shumë me i ndihmua vetes në zhvillimet rajonale dhe dialogun me Serbinë, për tu ndërtuar një shtet stabil dhe i qëndrueshëm. Është bërë shumë mirë që është hap kjo ambasada para se të vije qeveria e re, sepse kam vlerësuar disa herë se është shumë e vështirë nëse i bie në dorë qeverisë së re ky proces”, përfundoi Burjani.