Canaj i shkarkuar sot nga Gërvalla: I duan njerëzit e vet nëpër misione diplomatike, se s’dinë çka është shteti, veç partia

Prishtinë | 16 Mar 2022 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtmë, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, njoftoi për shkarkimin e 11 zyrtarëve të shërbimit të jashtëm. Mes arsyetimeve për shkarkim, ishte edhe fjalia se ‘kanë gjetur parregullsi’.

Periskopi ka kontaktuar me një nga emrat e shkarkuar, zotin Blerim Canaj.

Ai i tha Periskopit se kjo po bëhet që ‘Qeveria tash të dërgojë në misionie diplomatike, njerëzit e tyre të afërt’. Madje Canaj hedh kritika ndaj Qeverisë Kurti, duke thënë se nuk ‘e di që ekziston koncepti i shtetit’, por siç shprehet ai ‘veç koncepti i partisë’.

Pjesë nga biseda e Canaj me Periskopin:

“Këta e kanë marrë si arsye një konkurs të vitit 2011 në bazë të të cilit ne jemi pranuar edhe nuk di çka bazohen por e përcaktojnë si konkurs jo ligjor, sipas tyre”, tha z.Canaj për Periskopin.

“Tash për shembull, i kanë hapur këtë farë konkursin e brendshëm për dërgim të misionit diplomatik edhe tashti janë një grup i diplomatëve të cilët natyrisht kanë aplikuar aty, tash po e diskutojnë ndërmjet veti që njëra prej arsyeje ve është për me zvogëlua konkurrencën dhe mi futë njerëzit që i kanë më të afërt. Nuk kish me qenë fer nëse unë tashti përmendi emra për shkak se sido që të jetë jemi kolegë, apo kemi qenë kolegë.”, tha Canaj për Periskopin.

Canaj paralajmëron ndjekjen e rrugëve ligjore, pasi siç thotë ai, ‘për Qeverinë Kurti nuk ekziston koncepti shtet, por koncepti parti’.

“Natyrisht do të vazhdoj me rrugë ligjore, se tashti na mundemi me përcaktu edhe si përndjekje politike, a po din, në kuptimin e asaj se për ta është ajo bindja se pavarësisht se qysh je pranu a kah ke ardhur, në mometin që je pranu me ni qeverisje të caktume këta e marrin që i takon qatij grupi për shkak se e kam ndjenjën që koncepti shtet për ta nuk ekziston veç koncepti parti”, tha Canaj për Periskopin.

Çka tha Ministria – veç tjerash – në arsyetimin për shkarkimet?

Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm.

Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare.Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri.

Të ngjashme