Çollaku: Roli i ShBA-së në dialog mbetet e pazëvendësueshëm

Prishtinë | 17 Pri 2020 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Roli i SHBA-së në procesin e dialogut Kosovë – Serbi mbetet i pazëvendësueshëm. Bekim Çollaku, shef i stafit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, në një prononcim për Radio Evropën e Lirë ka theksuar se BE-ja ka qenë drejtuese e këtij procesi në 10 vitet e fundit.

“Por, kjo nuk do të thotë që ka qenë drejtuese e mirë dhe e suksesshme. Me gjithë arritjet e limituara, ende nuk kemi marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.

Sipas Çollaku, i cili ka marrë pjesë në të gjitha takimet përgjatë këtyre viteve si pjesë e delegacionit kosovar, ka thënë se progresi i deritanishëm është në masë të madhe meritë e mbështetjes dhe angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Prandaj, sukseset dhe dështimet ndahen ndërmjet pjesëmarrësve të përfshirë në këtë proces. Megjithatë, ky proces i gjatë dhe i mundimshëm duhet përmbyllur. Interesi i Kosovës është të arrijë një marrëveshje të mirë dhe të marrë njohjen nga Serbia”, ka thënë ai.

Çollaku ka theksuar se për ta arritur këtë qëllim, Kosova është e gatshëm të punojmë me të gjithë, por më së shumti me ata që vërtetë e duan arritjen e një marrëveshjeje dhe që kanë aftësi dhe kredibilitet për të ecur përpara.

“Roli dhe lidershipi i SHBA-së mbetet i pazëvendësueshëm në këtë proces. Por, ashtu mbetet edhe roli i BE-së përderisa është e aftë ta përmbushë premtimin për liberalizimin e vizave dhe ta përshpejtojë anëtarësimin e Kosovës në BE”, ka thënë Çollaku.

Të ngjashme