Çollaku zbulon si nisi skenari për korrigjimin e kufirit

Prishtinë | 08 Tet 2018 | 23:41 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Hashim Thaçi papritur për opinionin, para disa javësh, e lansoi idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, si skenar i cili garanton marrëveshje finale me shtetin fqinj, i cili vazhdon të mos e njohë shtetin e Kosovës. Edhe pse ky skenar ende nuk është bërë i tëri publik nga Thaçi, këshilltari i tij, Bekim Çollaku, ka zbuluar disa detaje të pa thëna në opinion deri më sot.

Çollaku në Zona B në Klan Kosova, ka thënë se ky skenar ka filluar të diskutohet që nga fillimi i këtij viti.

Por deri te ardhja te ky skenar, Çollaku ka thënë të jetë ardhur duke eleminuar skenarë të tjerë, që janë hedhur në tavolinë nga palët negociuse në Bruksel, përcjell gazetametro.net.
“Gjetja e zgjidhjes përfundimtare ka filluar nga pjesa e parë e këtij viti. Kjo ka filluar të diskutohet, jo vetëm në mes të palëve të përfshira dhe lehtësuesit, që në këtë rast është Bashkimi Evropian, por edhe shteteve relevante veç e veç, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Britania, Italia e të tjera”.

“Ky skenar ka ardhur në konsiderim duke i përjashtuar skenarët tjerë, sepse janë shumë të rrezikshëm”, ka thënë Çollaku.

Ai ka treguar se cilët kanë qenë këta skenar, dhe ka thënë se njëri prej tyre është ai i ndarjes, që sipas tij është skenar i vjetër i Serbisë, që ajo ta merr veriun e Kosovës, dhe të mos jap asgjë në këmbim të marrjes së veriut.

Mirëpo, sipas tij, ky skenar ka qenë i vdekur që në fillim. Skenar tjetër, ka thënë se ka qenë një autonomi e zgjeruar me kompetenca ekzekutive, një krijesë e ngjashme me Republikën Serbe në Bosnje, skenar ky i cili gjithashtu sipas tij, është i rrezikshëm, dhe nëse do të zbatohej, sigurisht se më vonë do të sillte te ndarja e Kosovës.

“Si i tillë, edhe ky skenar duhet të hidhet poshtë. Çfarë po mbetet tjetër atëherë. Sipas këshilltarit, tani si opsioni më i favorshëm, ka ngelur mundësia e një marrëveshje finale përmes korrigjimit të kufijve”, ka thënë këshilltari i Thaçi, i cili ka marrë pjesë në të gjitha takimet e presidentit me Vucicin në Bruksel.

Çollaku, ka thënë se është e palogjikshme teoria se fillimisht Serbia ta njohë Kosovën, e më pas të diskutohet për korrigjimin e kufijve. Sikur Serbia ta njihte Kosovën me këta kufij, atëherë, nuk do të kishim nevojë fare për këtë dialog. Ndërsa, sipas tij, Kosova e ka shumë të nevojshme njohjen nga Serbia, sepse konsiderohet si bllokadë e antarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe Kombet e Bashkuara.

Çollaku ka treguar se si ardhi deri te ideja e korrigjimit të kufirit.

“Ideja e korrigjimit të kufijve nuk ka ardhur nga Mogherini, por nga të dy palët e përfshira, Kosova dhe Serbia, duke i eliminuar skenaret të cilët nuk çojnë askund, dhe nuk prodhojnë marrëveshje, kemi arritur në një pikë të tillë, ku skenari aktual, i cili është propozuar zyrtarisht nga presidenti Thaçi, konsiderohet si skenari më i mundshëm për të arritur një marrëveshje të pranueshme nga të dy shtetet. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se ne duhet të pranojmë çfardo skenari i cili është i pranueshëm edhe nga Serbia”.

“Kjo do të thotë se Kosova duhet ta analizojë, peshojë shumë, se çfarë fiton e çfarë humb në këtë skenar. Ne i kemi bërë këto analiza me kohë, i kemi analizuar mirë, prandaj jemi kaq të sigurt dhe kaq të vendosur në atë se çfarë duam ne. Synimet tona në këtë skenar janë të qarta, dhe janë vetëm dy, që natyrshëm pastaj vijnë edhe tjerat si benificione që janë të pashmangshme në të mirë të Kosovës. Këto dy përfitime, janë njohja e Kosovës nga Serbia, dhe tjertra historike, që për disa po duket e pamundshme, por për mua si shumë reale, bashkimi me Kosovën i tri komunave me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës”.

“Kufijtë e Kosovës, janë shumë të mirë, nuk janë gabim, por kufijtë e Kosovës do të bëhen shumë më të mirë, duke përmirësuar gabime historike. Nëse brenda këtyre kufijve fusim Luginën e Preshevës, i bashkojmë ata shqiptarë me Kosovën, ata kufij do të jenë shumë më të mirë se sa këta që janë aktualisht”, ka thënë Çollaku.

Tutje, këshilltari i presidentit e ka thënë për herë të parë atë që nuk po e thotë Thaçi. Ai ka thënë se bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është kërkesë e presidentit Thaçi, ndërsa i mbetet Serbisë pastaj se çfarë do të kërkojë në këmbim të marrjes së kësaj pjese nga Kosova, dhe marrjes së njohjes nga Serbia.

Por, ai ka shtuar, se do të ishte naivitet të besohej, se Kosova do të marrë njohjen nga Serbia dhe Luginën e Preshevës, dhe të mos jepte asgjë, duke lënë të nënkuptohet se korrigjimi i kufirit në fund do të thotë dhënie Serbisë, e një pjese të veriut të Kosovës.

Ky skenar, Çollaku ka thënë se është shumë serioz, dhe nuk ka si të mos jetë i tillë, nëse për të po reagojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, dhe të gjitha vendet e fuqishme që kanë ndikim në këtë proces.

Çollaku ka thënë se po të mos ishte skenar serioz, atëherë në asnjë formë nuk do të merrej askush me të.

Ai beson se kjo marrëveshje do të arrihet, por për këtë sipas tij, kërkohet unitet i faktorit politik në Kosovë, dhe ai ka frikë, se sikurse te procesi i liberalizimit të vizave, politika kosovare do të mund të bëjë dëm edhe në kënë proces, duke e shtyer atë, dhe sipas tij, në fund sikur për vizat dhe këtu janë qytetarët e Kosovës ata që do të pësojnë.

Të ngjashme