Daci: Mirë që u ndërrua garnitura, por mos pritni çudira nga Qeveria Kurti

Prishtinë | 27 Tet 2019 | 17:40 | Nga Ekonomia Online

gazetametro.net

Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci, thotë se qytetarët presin gjithmonë që pushtetet e reja të jenë më efikase, por as nga kjo Qeveri sipas tij nuk do të ketë çudira.

Daci në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se Qeveria e re e Kosovës, duhet të tregohet e aftë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët. Sa i përket dialogut me Serbinë, Daci tha se do të ishte më se e domosdoshme përfshirja e opozitës.

“Unë besoj që është shumë mirë kur në zgjedhje ndërrohen garniturat. Është një freski, nuk do të thotë se janë më të mirë apo më të këqij, por qytetarët presin gjithmonë që pushtetet e reja të jenë më efikase apo duhet të jenë më efikase. Prandaj, unë mendoj që është bërë mirë që opozita i ka fituar zgjedhjet sepse vetëm në atë mënyrë faktikisht është lëvizja e ujit, nuk bëhet amull uji dhe kur bëhet amull, nuk pihet. Prandaj, zakonisht njerëzit presin që kur opozita të vjen, duhet të tregohet e aftë në zgjidhjen e problemeve që ka jeta e njerëzve dhe shpresoj të kenë sukses.”, tha Daci.

“Unë besoj që kjo është pika më e dobët në Ballkan. Në përgjithësi te shumica e shteteve të Ballkanit, prioritet merr gjithmonë politika e në vend të dytë ose të tretë, jeta e qytetarit. Prandaj, me atë sa kam unë informacion ose sa kam përvojë, ardhja e opozitës gjithmonë krijon shpresë dhe ata do të luftojnë që të realizojnë një pjesë të premtimeve”, tha Daci.

Daci po thotë se në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe të Kosovës do të punohet nga Qeveria Kurti, por nuk do të ketë çudira.

“Do të punohet, por çudira nuk do të ketë. Nuk do të ketë sepse ambienti i krijuar politik humb shumë kohë për normativa të reja për standarde të reja. Por, unë shpresoj se kësaj radhe me kryeministrin e ri që për herë të parë është në fuqi, gjërat do të lëvizin më shpejt në drejtim të jetës së qytetarëve”, tha Daci.

Të ngjashme