Deputetët me kërkesë që burgu i Prishtinës të shndërrohet në muze

Prishtinë | 07 Shk 2019 | 13:04 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka aprovuar kërkesën për shndërrimin e burgut të Prishtinës në muze, për ta proceduar atë tek kryeministri, kryeparlamentari dhe ministria e Drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

Duda Balje, kryesuese e këtij komisioni, ka thënë se megjithëse kjo çështje po ngritët vonë, burgu duhet të kthehet në muze sa më parë.

Sipas saj, burgu tregon një pjesë të rëndësisë së veçantë shqiptare.

“Kur kemi nisë me e hapë tematikën për burgun në Dubravë, unë kam nisë me bë një hulumtim të vogël dhe kur kam hy me hulumtu në rrjete sociale, kudo, shumë pak informata ka pasë. Nëse ne si Kosovë jemi në gjendje me harru çka ka ndodhë, qysh dikush tjetër mundet me ditë. Unë jam e sigurt se është vonë, por më mirë vonë se kurrë”, tha Balje.

Deputeti i PDK-së, Shemsi Syla, shtroi një kërkesë për mbledhjen e dokumentacionit duke thënë që kjo duhet të bëhej qysh më herët. Ai tha se duhet të bëhet apel në të gjitha burgjet që të ruhen të gjitha dokumentacionet.

“Pos kërkesës që të na jepet në dispozicion si vepër muzeale, kërkoj që të kërkojmë nga të gjitha instancat që kanë obligim ruajtjen e të gjitha gjurmëve, dokumentacionit që e ka përcjellë golgotën e të burgosurve të burgut të Prishtinës, nga ato shënime të gardianëve që është një pasuri e madhe e krejt shënimeve përcjellëse të hetuesisë, pastaj të vetë shërbimit të brendshëm të asaj kohë që kanë gjithë dokumentacionin ndaj të burgosurve, sidomos ndaj Adem Demaçit që do ishte pasur e madhe”, tha Syla, raporton EO.

E, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, bëri vërejtje për gabimet teknike në shkresën që do t’iu drejtohet institucioneve përkatëse, ndërsa shtoi se ky muze do të paraqesë gjurmët e vuajtjes së popullit shqiptar.

“Mos të tjetërsohen ato gjurmë të cilat ndoshta janë pjesë e historisë, sado që të dhimbshme të ikonave të Kosovës, Demaçit dhe heronjve tjetër, për vuajtjet e tyre në ato hapësira dhe ato hapësira të jenë muze duke qenë e pasë gjithë atë material për këto ikona në këto hapësira, në mënyrë që edhe gjeneratat dhe kushdo që vjen në Kosovë për ta vizitu, t’i sheh gjurmët dhe dhunën që kanë përjetu populli shqiptar në përgjithësi”, tha deputetja Haxhiu.

Deputetja e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj, tha se ideja për ta shndërruar në muze është shumë e mirë.

“Tani janë pjekur kushtet që të kemi një kujdes të veçantë për këtë temë. Të gjithë e dimë se gjatë viteve të 90 janë mbajtur në burg si ikona si Adem Demaçi dhe unë jap mbështetje kësaj çështje”, tha ajo.

Të ngjashme