Deputeti i VV-së del para gjykatës për shkak të “Zajednicës”

Prishtinë | 25 Tet 2022 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se Gjykata Themelore e Prishtinës ka nisur shqyrtimin fillestar të aktakuzës ndaj tij dhe disa protestuesve të tjerë kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Sot pas plotë 6 vitesh ‘sistemi i drejtësisë’ paska vendosur ta mbajë shqyrtimin fillestar të aktakuzës ndaj meje dhe protestuesve tjerë të arrestuar kundër Zajednicës dhe në mbrojtje të ish deputetëve të opozitës që e kundërshtuan në vitin 2015”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, po të kishte drejtësi “në bankën e të akuzuarve do të duhej të ishte Isa Mustafa dhe jo protestuesit”

Po ashtu deputeti e ka ripërsëritur se “Asociacioni paraqet rrezik të madh për Kosovën”.

“E ritheksoj se Zajednica e kontrabanduar nga Mustafa-Thaçi, e dëshmuar si antikushtetuese,  paraqet rrezikun më të madh që i është kanosur Kosovës. Dhe si e tillë është e papranueshme. Po të kishte patur drejtësi njëmend, sot në bankën e të akuzuarve është dashur të jetë Isa Mustafa.  Jo ne”, ka thënë ai.

Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, haptazi po i kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Të ngjashme