Dikur Lumir Abdixhiku kritikonte për rritje çmimesh, sot “çele guri gojën” për Qeverinë Kurti

Prishtinë | 01 Shk 2022 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Në vitin 2013-të, Lumir Abdixhiku kritikonte ashpër Qeverinë e Hashim Thaçit për rritjen e çmimeve për produktet kryesore të ushqimit. Atëherë në cilësinë e profesorit të Ekonomisë.

Tani kur Lumir Abdixhiku ka nën timon partinë më të madhe opozitare në vend, LDK-në, kritikat i ka lënë anash ani pse ka rritje edhe më të mëdha të çmimeve. Madje nuk po e kritikon fare Qeverinë e Albin Kurtit. Në masë po tingëllon si një bashkëpunim në heshtje.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku bënte kalkulime me rritjen e çmimeve. Thoshte se në pesë vitet (2008-2013), kosovarët janë varfëruar deri në 30%. Por tani kur produktet e përmendura nga Abdixhiku kanë arritur çmime edhe më të larta nuk kemi parë llogaritje të tilla nga ky i fundit.

Buka, vaji, sheqeri, mishi e pastaj nafta por edhe energjia në vitet e fundit kanë pësuar ngritje edhe më të lartë e sidomos nën qeverisjen Kurti, për të cilën kemi parë një Abdixhik të heshtur.

Ndërkohë nën qeverisjen Kurti, çmimet e produkteve, ato bazë për shportën e familjes kanë pasur rritje drastike. Pos tyre, rrugës së pashmangshme për shtrenjtim është edhe energjia elektrike. Edhe çmimi i ujit. Por, nuk është rritur paga. Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë një analizë të çmimeve. Raporti i fundit i dhjetorit 2021, kur e krahason me atë të dhjetorit të vitit 2020 del që në përgjithësi ka një rritje çmimesh për 6.7 për qind, raporton Insajderi.

Për rritjen e çmimeve nën titullin “Krejt dhe Shtrenjtë”, InDoks, të dielën transmetoi dokumentarin ku flitet për rritjen e çmimeve, menaxhimin nga Qeveria Kurti e për pretendimet e kësaj të fundit se ka rritje të buxhetit. Ekspertët sqarojnë që me rritjen e çmimeve ka pasur edhe rritje të buxhetit.

Të ngjashme