Djali i ish-presidentit Thaçi i bashkohet Lladrovcit në fushatë (Foto)

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

Kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili po synon dhe një mandat në zgjedhjet e balotazhit këtë të diel, sot në fushatë i është bashkuar Endriti, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Kryetari Lladrovci theksoi se themeluesit e UÇK-së, njëherësh themeluesit e PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, janë personalitete të papërsëritshme në histori.

“Sot, pata kënaqësinë të pres Endrit Thaçin, me ç’rast vendosëm kurora me lule dhe shprehem nderim pranë shtatoreve të heronjve tanë në Sheshin ‘Fehmi Lladrovci'”, ka shkruar Lladrovci në një postim në Facebook

“Themeluesit e UÇK-së, njëherësh themeluesit e PDK-së, janë personalitete që historia ka rezervuar për ta vend të posaçëm dhe të papërsëritshëm”.

“Faleminderit Endrit. Vlerat ecin gjeneratë pas gjenerate”!

Më herët gjatë ditës, Dega e PDK-së në Drenas akuzoi kundër-kandidatin e Lladrovcit dhe “grupimin e tij politik” se po keqpërdorin imazhet të ish-kryetarëve të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Kandidati për kryetar të Drenasit nga Demokratët për Drenasin, Driton Ajazaj, në një deklarim për medie, kishte akuzuar Lladrovcin se po gënjen se e ka marrë mbështetjen e ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi, nëpërmjet një bisede telefonike nga Haga.

Madje, sipas Ajazajt, i cili e braktisi PDK-në pasi Qendra nuk e mbështeti kandidaturën e tij, “përfolet se Lladrovci dyshohet të jetë dëshmitar kundër Thaçit në Hagë”.

Paraqitja publike në krahë të Lladrovcit e djalit të ish-presidenti Thaçi duket se e ka pikërisht këtë qëllim – të konfirmojë mbështetjen për kandidatin e PDK-së.

May be an image of 4 people, people standing, suit and outdoors
May be an image of 3 people, people standing, suit and outdoors

Të ngjashme