Dy parti kanë dorëzuar listat në KQZ, sot është afati i fundit

Prishtinë | 06 Sht 2019 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Partitë e mëdha në vend ende nuk i kanë dorëzuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), raporton Ekonomia Online.

Sot është afti i fundit për dorëzimin e listave, përderisa shumica e partive politike i kanë mbledhur këshillat e përgjithshme për të diskutuar dhe përpiluar listat zgjedhore.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka sqaruar për EO se Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PRBK) dhe Jedinstvena Goranska Partia (JGP) janë të vetmet që kanë dorëzuar listat me emrat e kandidatëve.

“Dy subjekte politike kanë dorëzuar aplikimin për t’u certifikuar dhe listën e kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”.

“Bëhet fjalë për Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PRBK) e cila ka dorëzuar listën me 27 kandidatë dhe Jedinstvena Goranska Partia (JGP) ka dorëzuar listën me emrat e 13 kandidatëve për deputetë”.

Fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor, ndërsa zgjedhjet mbahen më 6 tetor. Organizimi i këtyre zgjedhjeve buxhetit të Kosovës do t’i kushtojnë rreth 6 milionë euro.

Në zgjedhjet e 6 tetorit sipas listës preliminare të drejtë vote kanë 1 972 466 votues. Kurse 33 791 emra janë larguar nga lista votuese pasi që kanë vdekur ose kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme