Kurti: LDK po insiston në propozimin e vjetër, s’ka marrëveshje me qasjen “merre ose lëre”

Prishtinë | 28 Jan 2020 | 20:53 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lideri i LVV-së, Albin Kurti, tha se nuk ka marrëveshje, raporton Ekonomia Online.

Ai ka fajësuar LDK-në, sepse sipas tij ata nuk po tërhiqen nga kërkesa “e vjetër” e 8 janarit.

“Nuk ka marrëveshje të stilit merre ose lëre”, tha ai.

Sipas tij, VV nuk pranon marrëveshje të këtij stili.

“Populli e ka thënë fjalën e vet. Interesimi dhe gatishmëria ime ka qenë shumë e madhe. Na ka ngelur vetëm një javë kohë”.

“Pa rezerva dhe me punë të palodhshme kam qenë i hapur për marrëveshje, por nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm. Për koalicion, afrimi duhet të jetë i dyanshëm”, është shprehur Kurti, pas takimit me ambasadorët e Quint-it, raporton Ekonomia Online.

Prononcimi i plotë i Albin Kurtit:

Takimi ishte i gjatë meqenëse gjysma e takimit ishte përkthim për ambasadorët e QUINT-it dhe shefen e BE-së në Kosovë. Unë i falënderoj të gjithë ata për pjesëmarrje, që u janë përgjigjur ftesës sime, në mënyrë që për së afërmi të jenë të njoftuar me zhvillimet e fundit meqenëse interesimi i tyre është i madh.

Në vend që të takohemi secili prej nesh ndaras, kishim një shancë të mirë që të takohemi të gjithë bashkë. Nuk ka përafërim të pozicioneve nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata insistojnë në propozimin e tyre të vjetër të datës 8 janar. Ne kemi bërë edhe dy propozime të tjera prej se e kemi dërguar emrin tim te Presidenti i Kosovës si person për Kryeministër të ri – janë propozimet e datës 24 janar dhe 27 janar.

Mirëpo, për marrëveshje nevojitet përafrim i dyanshëm. Nuk mund të ketë përafrim të njëanshëm. Ne jemi afruar, mirëpo, nga ana tjetër, ka insistim vetëm në 8 janar, në stilin “merre ose lëre”. Me qasjen “merre ose lëre” nuk mund të arrijmë marrëveshje.

Unë përpjekjet nuk i ndali në shndërrimin e ndryshimit politik të 6 tetorit në ndryshim institucional në Republikën e Kosovës. Populli e ka thënë fjalën e vet, interesimi dhe gatishmëria ime kurrë s’ka qenë më e madhe për marrëveshje. Është e vërtetë që na kanë ngelur vetëm edhe një javë.

Me vullnet të mirë dhe me punë të palodhshme, pa u kursyer, pa rezerva për asnjë gjë, kam qenë i hapur që të arrijmë marrëveshje, por, po them edhe njëherë, nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm. Afrimi i pozicioneve duhet të jetë i dyanshëm.

Lexo më shumë:

Të ngjashme