Edhe Nisma kundër takimit në Bruksel, në funksion të interesave të Serbisë

Prishtinë | 23 Jan 2017 | 14:23 | Nga

Nisma për Kosovën konsideron se paralajmërimi për një takim në mes të Kosovës dhe Serbisë për ditën e nesërme në Bruksel është tërësisht në funksion të interesave të Serbisë dhe aspak edhe në interes të Kosovës.

Në një komunikatë për medie, kjo parti thotë se vazhdimi i këtij lloji të dialogut të filluar në vitin 2011 në të cilin në vazhdimësi Kosova ka qenë objekt dhe jo palë e barabartë duhet të ndërpritet menjëherë.

Gjithashtu, Nisma konsideron se vazhdimi i këtyre bisedimeve pas provokimeve dhe kërcënimeve të një pas njëshme nga ana e Serbisë duke filluar nga Asociacioni i Komunave Serbe e duke vazhduar me ndërtimin e murit që ndanë qytetin e Mitrovicës, ndalimin e Ramush Haradinajt nga Interpoli në Francë me urdhër arrest të lëshuar nga Serbia dhe provokimi me trenin rus nuk është asgjë tjetër pos nënshtrim ndaj Serbisë dhe shitje e interesave të vendit për interesa personale të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.

“Vetëm pasi Kosova të ketë ndërtuar një platformë të përbashkët nacionale për bisedime me Serbinë dhe vetëm atëherë kur Serbia të jetë e gatshme të ulet në bisedime me Kosovën si palë të barabarta mund të fillohen bisedimet e reja”, përfundon komunikata e Nisma-s.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme