Edhe zëdhënësi i BE-së, sikurse Borrell, kërkon koordinim për veprimet e policisë në veri të Kosovës

Prishtinë | 14 Tet 2021 | 16:40 | Nga Ekonomia Online

Përveç thirrjeve për uljen e tensioneve dhe shmangien e përshkallëzimit të situatës, reagimet e faktorit ndërkombëtar lidhur me zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, kanë pasur dallime. Përderisa Aleanca Veri-Atlantike tha se është në kontakt me autoritetet e Kosovës, Bashkimi Evropian tha se nuk ka pasur koordinim paraprak për aksionin kundër kontrabandës së mallrave, që u zhvillua në disa lokacione, përfshirë edhe veriun e vendit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano konfirmoi se nuk ka pasur njoftim paraprak për aksionin e 13 tetorit.

“Misioni i EULEX-it është në Kosovë pikërisht për të ndihmuar në forcimin e rendit dhe ligjit dhe për të krijuar ambient të sigurt”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Lidhur me aksionin në veri, mjaft kritika ka pasur ndaj reagimit të parë të shefit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili i quajti “të papranueshme veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara”. Kjo deklaratë u bë më 13 tetor, ditën kur Policia dhe Dogana e Kosovës zhvilloi një aksion kundër kontrabandës së mallrave, aksion që u shtri edhe në komunat në veri të Kosovës.

Deklarata e Borrellit u kuptua nga disa si kritikë ndaj luftës kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, teksa autoritetet në Kosovë thanë se aksioni i 13 tetorit ishte pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.

Ndryshe reagoi Aleanca Veri-Atlantike (NATO), që tha se e sheh këtë aksion si “operacion për zbatimin e ligjit në tërë Kosovës” dhe shtoi se misioni i KFOR-it në Kosovë është në komunikim me të gjitha institucionet e rëndësishme të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Kritika ndaj Borrellit

Përveç reagimeve në Kosovë ndaj deklaratës së Borrellit, për këtë deklaratë kishte reagime edhe jashtë Kosovës. Viola von Cramon, deputete gjermane në Parlamentin Evropian, që njëherësh është edhe raportuese për Kosovën, kërkoi nga Borrelli që ta mbështesë luftën kundër krimit të organizuar dhe i kritikoi ato shtete që nuk e luftojnë këtë fenomen.

Të ngjashme