Edita Tahiri kërkon njohje nga Sudani

Prishtinë | 29 Jan 2017 | 14:27 | Nga

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është takuar me ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit, tani ambasador i Sudanit në OKB në Gjenevë, Mustafa Osman Ismail, për të diskutuar mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Sudanit.

Takimi është zhvilluar në Gjenevë, në misionin e Sudanit pranë OKB-së, të premten më 27 janar 2017. Në takim morën pjesë edhe Amin Awad, drejtor i UNHCR-së për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore dhe Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i ministres Edita Tahiri.

Tahiri, ka diskutuar me ish ministrin e Jashtëm të Sudanit,  Ismail të gjitha argumentet relevante për pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar mbi këtë bazë që Sudani ta njoh shtetin e Kosovës. Ministrja Tahiri, ka theksuar se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe ky fakt juridik është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi në vitin 2010, dhe se njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Sudanit do të ishte një kontribut i drejtpërdrejtë i këtij vendit për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë.

Ajo e njohu Ismail me përparimet e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e tutje në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës përmes njohjeve të fuqishme, anëtarësimit të Kosovës në organizata të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, hyrjen në rrugën zyrtare të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në. Në veçanti Tahiri ka potencuar se vendet aleate të Sudanit, sikurse që janë Egjipti dhe Turqia, kanë njohur pavarësinë e Kosovës, andaj edhe Sudani do të duhej të bënte një gjë të tillë.

Nga ana e tij, Ambasadori Ismail, tha se ai dhe shteti i tij i kanë përcjellë dhe vazhdojnë t’i përcjellin me interesim zhvillimet pozitive në Kosovë. Ai theksoi se për përmbajtjen e këtij takimi do të njoftoj Qeverinë e Sudanit, duke përcjelle një raport menjëherë tek Ministria e Punëve të Jashtme e Sudanit.

Ai gjithashtu inkurajoi që kontaktet dhe vizitat e ndërsjella të vazhdojnë, duke thënë se mirëpret një vizitë të delegacionit nga Kosova në Sudan me qëllim të rritjes së mirëkuptimit për çështjet e diskutuara. Ai po ashtu theksoi se një numër i OJQ-ve nga Sudani pas luftës në Kosovë janë angazhuar me ndihma për përmirësimin e gjendjes së paskonfliktit në Kosovë.

Mustafa Osman Ismail më parë ka qenë këshilltar i Presidentit të Sudanit dhe mbi shtatë vjet Ministër i Punëve të Jashtme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme