Ekspertët e konsiderojnë të panevojshëm misionin e UNMIK-ut në Kosovë

Prishtinë | 21 Pri 2022 | 16:07 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ekspertët thonë se misioni i UNMIK-ut në Kosovë është i panevojshëm e pa ndikim e rëndësi politike, raporton Ekonomia Online.

Arton Demhasaj, drejtor në Organizaten Çohu, në një intervistë për Ekonomia Online tha se misioni i UNMIK-ut është dashur të mbyllet kohë më parë.

“Unë mendoj se koha për me u mbyll misioni i UNMIK-ut ka ardhë moti për shkak se Kosova në 2008 e ka shpall pavarësinë dhe Pavarësia e Kosovës është njohur nga pjesa më e madhe  e shteteve të botës demokratike. Kështu që si mision është i panevojshëm në Kosovë. Po duke e marr parasysh që është i ndërlidhur edhe me rezolutën 1244 edhe vjen nga OKB atëherë nga ana jonë është shumë e vështirë për me mbyll një mision të tillë. Vetë OKB vendos për këtë çështje kështu që në një far mënyre misioni i UNMIK-ut në Kosovë ka mbet si të them i parëndësishëm dhe pa ndikim e pa pushtet. Ka mbet vetëm si një lloj mbikëqyrësi dhe më tepër mbikëqyrës që lidhet me çështjen e veriut ose me çështjen e të drejtave të minoriteteve se sa me ndonjë pushtet të vërtetë që e ka”

Tutje ai tha se ne nuk mund të bëjmë asgjë në largimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë pasi kjo nuk varet nga ne, por është OKB-ja ajo që vendos.

“Ne si Kosovë nuk mundemi të bëjmë asgjë për shkak se nuk është në dorën tonë e në fuqinë tonë për me vendos se a dojmë apo nuk dojmë me e mbajt misionin e UNMIK-ut akoma në Kosovë. Është OKB-ja ajo që vendos, është direkt si të themi sekretari i OKB-së që vendos për misionin sepse këta i raportojnë direkt edhe sekretarit dhe përfaqësuesin kryesor të UNMIK-ut e zgjedh sekretari. Në këtë mënyrë nuk është që ne kemi me bë diçka, ne i kemi aspiratat që shumë shpejt me u anëtarësu në OKB dhe mu bë pjesë e përhershme e OKB, kështu që deri në atë moment ndoshta edhe mundet të mbetet UNMIK në momentin kur Kosova mund të bëhet pjesë  OKB, atëherë ky mision thjeshtë bëhet komplet o panevojshëm dhe nuk ka më asnjë arsye për me qëndru edhe me mbet në Kosovë”.

Edhe njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu për Ekonomia Online tha se Kosova është shtet i pavarur, tutje ai tha se UNMIK në Kosovë nuk ka rëndësi dhe as peshë pozitive politike.

“Patjetër kjo kohë tashmë ka kaluar dhe është iluzore përpjekja e disa shteteve mirënjohëse të Kosovës që ende në Këshillin e Sigurimit jo vetëm që e përkrahin por edhe lavdërojnë punën e këtij konstrukti të tejkaluar i cili nuk ka asnjë rëndësi as peshë pozitive politike. Asnjë rol ani që ata po proklamojnë sepse Kosova është shtet i pavarur, UNMIK-u ka qenë një administratë e organizatës së Kombeve të Bashkuara gjatë kohës së tranzicionit në mes të çlirimit të Kosovës dhe shpalljes së Pavarësisë dhe ndërtimit të Republikës dhe të shtetit të Kosovës. Prandaj ai konstrukt do të duhej domosdoshmërisht të shkaktoj një ngritje të vetëdijes të ata që bëjnë pjesë në Këshillin e Sigurimit sidomos që thjeshtë ta kuptojnë që është edhe e panevojshme edhe shpenzim i panevojshëm i parave të shteteve anëtare të OKB, të cilat e financojnë këtë konstrukt që nuk është as ndërkombëtar dhe as me primesa të duhura të pajisura nga ato veçori dhe elemente që duhet ti ketë një organizëm ndërkombëtar i OKB”, raporton EO.

Të ngjashme