Emini: Aktakuza ndaj Thaçit, damkosje e madhe për Kosovën

Prishtinë | 30 Qer 2020 | 20:21 | Nga Ekonomia Online

Drejtoresha ekzekutive e platformës CiviKos, Donika Emini, ka thënë se aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndaj presidentit Hashim Thaçi për krime lufte është damkosje e madhe për Kosovën. Në Deskun e KOHËS, ajo ka thënë se Kosova ka dështuar të dokumentojë krimet e luftës dhe me këtë ka lejuar të barazohet me Serbinë në aspektin ndërkombëtar.

Emini ka thënë se fjalimi i Thaçit për këtë aktakuzë ishte i vonuar. Ka shtuar se dyshon që Thaçi do të dorëhiqet edhe nëse i konfirmohet aktakuza.

“Vonoi presidenti në deklarimin e tij. Veseli doli menjëherë e njëjtë pritëm edhe nga Thaçi sepse është president e ishte kthesë kritike për dialogun e ndoshta edhe për imazhin e Kosovës sepse po flasim për president me aktakuzë për krime lufte. Damkosje e madhe për Kosovën, duke marrë parasysh se s’kemi njohje, e s’kemi pranime në mekanizmat ndërkombëtarë e ndodhi para takimit në Washington. Pezulloi procesin e dialogut. Prisja këtë reagim të Thaçit. S’ishte e pritshme dorëheqja. Nuk e di nëse do të ketë edhe nëse konfirmohet aktakuza”, ka thënë Emini.

Sipas saj, për Specialen është diskutuar vetëm në aspektin politik.

Ajo ka thënë se Kosova ka lejuar të barazohet me Serbinë në aspektin ndërkombëtar, për faj të vetin.

“S’kemi bë asgjë si shtet për të dokumentuar krimet e luftës. Para 20 vjetësh kur u diskutua në kuluaret e Shtëpisë së Bardhë u diskutua për një vend viktimë, dhe u intervenua përmes NATO-s ndaj një vendi anëtar në OKB. Pas 20 vitesh po kthehemi në Shtëpinë e Bardhë me Serbinë që dëshiron paqe e Kosova akuzohet për krime lufte. Ndryshimi i narracionit është i dëmshëm. Është faji ynë që s’jemi treguar fare serioz në raport me diskutimet për krimet e luftës”, ka shtuar ajo. “S’kemi hap atë kapitull as për të diskutuar. Kemi memorialët e kemi raste si të Vasfijes, që s’e njohim përmes shtetit. Ne kemi dështuar t’i dokumentojmë ato. Elitat që kanë ndryshuar në 20 vjetët e fundit, nëse e shohin këtë rast s’kanë memorie e mund të barazohen e të dalim të barabartë në letra”.

Të ngjashme