Fatmir Limaj në krye të Ekipit Negociator, nesër merr “vizën” në Kuvend

Prishtinë | 03 Sht 2018 | 20:14 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka miratuar kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj për të thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për nesër në ora 9, vetëm një orë para seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga partitë opozitare.

Kryesia është mbledhur sonte, në ora 19:30, me kërkesë të kryeministrit Haradinaj për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit me rend dite: “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha për gazetarët, pas përfundimit të mbledhjes që ka zgjatur vetëm disa minuta, se do të jetë vetë vetëm kjo pikë e rendit të ditës.

“Është kërkesë e Kryeministrit që të kemi një seancë nesër në ora 9. Është kërkesë legjitime e kushtetuese. Pikë e rendit të ditës do të jetë krijimi i ekipit negociator nga ana e Qeverisë së Kosovës”, tha Veseli, për mediet.

Veseli tha se shpreson që nga nesër opozita të reflektojë dhe të bëhen bashkë për t’u ballafaquar me Serbinë.

“Ne së bashku, pozitë e opozitë do të kemi ballafaqim me një shtete që i ka shkaktu dhimbje Kosovës e që ka qenë agresor ndaj neve. Ne duhet të jemi bashkë përballë Serbisë”, deklaroi kreu i Kuvendit.

Në mbledhjen e sotme Qeveria mori vendim që zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ta kryesojë ekipin negociator për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pjesë e ekipit negociator do të jenë edhe zëvendëskryeministrat tjerë Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, dhe Dardan Gashi dhe ministri Mahir Yagcilar dhe Avni Arfifi.Haradinaj ka ftuar edhe partitë opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë ekip, raporton Ekonomia Online.

Sejdiu i PSD-së vonohet në mbledhje, ankohet se Veseli e përfundoi diskutimin shpejt

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu e cilësoi të pakuptime ftesën e kryeministrit për seancë, pasi që sipas tij, vetëm 1 orë më vonë është paraparë të diskutohet për të njëjtën çështje, ndërsa thotë se më vonë do të vendosin nëse do të marrin pjesë apo jo.

“Do të bisedojmë me deputetët, por nuk ka kuptim që të vijmë në ora 9, kur në ora 10 kemi mbledhje për temën e njëjtë”, tha në mes tjerash Sedjiu.

Ai u ankua se Veseli i kishte mbyllur diskutimet, ani pse ishte vonuar vetëm 7 minuta.

“Kryetari I Kuvendit nuk ka mbledhje që s’vonohet 15 minuta. Sot na ka njoftu 1 orë ma herët, sot erdha 7 minuta me vonesë edhe kur e pashë diskutimet kishin përfundu”, tha tutje ai.

Të ngjashme