Fjalimet e Haradinajt e Ramës në mbledhjen e përbashkët

Korçë | 27 Nën 2017 | 20:52 | Nga

Është mbajtur mbledhja e katërt e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në Korçë, me moton “Një Tokë – Një popull – Një ëndërr”.

Fillimisht, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Më pas është zhvilluar mbledhja e përbashkët e bashkëdrejtuar nga kryeministrat Haradinaj dhe Rama.

Gjeni më poshtë fjalimet komplete të dy kryeministrave.

Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj:

I nderuar kryeministër i Republikës së Shqipërisë,
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Ministra të Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës,
Të dashur qytetarë të Korçës, Shqipërisë, Kosovës,
Bashkëkombës kudo që jeni,

Këtë takim të dy qeverive tona, po e mbajmë në qytetin e Korçës, qendrën e Rilindjes sonë Kombëtare, të shkollës së parë shqipe të hapur këtu e 130 vjet më parë dhe poashtu në 105 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Ky vit, është viti mbarëkombëtar i Skënderbeut, i shpallur nga Qeveria e Shqipërisë dhe nga kryeministri Edi Rama.
Ky vit pasqyron dhe përmbledh në vete, ëndrrën tonë euroatlantike, të cilën më së miri e realizojmë së bashku.
Shfrytëzoj rastin, që në këtë takim të dy qeverive, të sjellë disa të arritura të Qeverisë së Kosovës në këtë kohë të shkurtë.
E para që dua të vërtetojë, është se agjenda evropiane e Kosovës, është integruar dhe tani është program qeverisës i Kosovës.
Njëkohësisht, po punojmë bashkë me partnerët në një agjendë shumë të vlefshme për ne, e që është anëtarësimi në NATO, aftësimi i Forcës sonë, dhe sot e shënojmë Ditën e Forcës së Kosovës.
Jemi serioz, po punojmë me partnerët tanë dhe besoj se jemi në drejtim të duhur dhe me kohë do të kemi transformimin e Forcës sonë, në Forca të Armatosura të vendit.
Ne i kemi kushtuar rëndësi forcimit të rendit dhe ligjit, veçanërisht në dhënien më shumë fuqi në bazë të mandatit ligjor, të gjithë mekanizmave të rendit dhe ligjit.
Kemi përkrahur Këshillin Gjyqësor, atë Prokurorial, mekanizmat tjerë dhe mund të them se sot në Kosovë, parametrat flasin për më shumë rend dhe ligj.
Ajo që mbetet sfidë për Kosovën, është luftimi i korrupsionit, një e keqe e re, e cila rrezikon Kosovën në shumë drejtime.
Ne kemi punuar dhe po punojmë në ekonomi. Jemi fokusuar në veçanti për prodhuesit e vegjël dhe të mesëm, me politikat fiskale që janë lehtësuese për ta, por poashtu edhe me një ofertë ose pako të normativave edhe ligjore dhe zvogëlimit të burokracisë për të bërë biznes në vend.
Ajo që na mbetet për të bërë më shumë punë në të ardhmen, është logjistika, pra lokacionet për investime dhe njëkohësisht infrastruktura e nevojshme.
Po punojmë në forcimin e Kosovës në planin e brendshëm, edhe pse Kosova ballafaqohet me shumë sfida, disa prej të cilave janë specifike për shkak të jetës jo aq të gjatë si shtet dhe çështjeve ende të pambyllura.
Mirëpo, ajo që dua të them, është se jemi të vendosur për dialogun me Serbinë, por tani, dialogun e mendojmë në momentet finale dhe mendojmë se epilogu i tij, duhet të sjellë njohjen mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që, dialogu të arrijë epilogun e duhur, e shohim të nevojshëm pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Në planin rajonal, ne jemi të interesuar që të lehtësojmë marrëdhëniet me të gjithë fqinjët, me republikat rreth nesh dhe besoj se kemi dërguar sinjale të duhura dhe këtë do ta bëjmë në vazhdimësi.
Në planin ndërkombëtar, Kosova ende është në vështirësi për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar, nëpër organizimet ndërkombëtare, në marrjen e njohjeve, dhe këtu dëshiroj që të kërkoj edhe apeloj se vetëm së bashku, mund të ndihmojmë Kosovën në këto procese që janë me rëndësi për forcimin e pavarësisë sonë.
Ne, duke punuar për ta forcuar Kosovën, e forcojmë respektin për vetveten, mirëpo edhe vetëbesimin tonë, sepse vitin që vjen jemi 10 vjet shtet.
Forcimi i Kosovës dhe forcimi ynë në Ballkan arrihet ose përshpejtohet më mirë me bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Andaj, puna e mirë që keni bërë, i nderuar kryeministër, për të arriturat e këtij takimi të përbashkët dhe sot, mundësia që të nënshkruajmë 12 marrëveshje dhe protokolle dhe njëkohësisht puna e bërë dhe e avancuar, që do të çoj në një të ardhme të afërt deri në unifikimin e doganave, mendoj se na bënë për t’u krenuar, por nuk mjafton.
E di që populli i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, presin më shumë nga dhe ne nga këtu do të vazhdojmë me punët që na presin dhe që janë shumë.
Me punë nderojmë sakrificën për liri të të gjithë brezave dhe me punë nderojmë përgjegjësitë që kemi dhe vetëm me punë do të marrim respektin nga të gjithë.
Ju faleminderit!

Fjala e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama:

I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës,
Të nderuar anëtarë dhe anëtare të kabinetit të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Mirëserdhët në Korçë për këtë mbledhje të përbashkët, e cila është në vazhdën e një tradite të nisur nga Prizreni, qyteti ku shqiptarët afirmuan të bashkuar drejtën e tyre për të ekzistuar një shekull e gjysmë më parë dhe prej ku ne së bashku nisëm këtë rrugëtim për politikën që fillon me një dëshirë dhe pastaj e shndërron dëshirën në një veprim.
Sot, ne mund të themi me plotë gojën se ka ende shumë për të bërë, por me patjetër çka është bërë në këtë përpjekje të përbashkët, nuk është pak.
Kjo është mbledhja e katërt e dy qeverive në Korçën e kulturës dhe historisë kombëtare, për të vijuar një punë të nisur dhe për të bashkërenduar, duke bashkëkuvenduar mbi përparësitë e ndërveprimit mes dy shteteve tona, harmonizimin e mëtejshëm të interesave tona në funksion të së ardhmes evropiane dhe patjetër të prosperitetit të mbarë botës shqiptare.
Së pari, dëshiroj të përgëzoj kryeministrin Haradinaj për përkushtimin e tij dhe Qeverisë që ai drejton, për progresin e reformave me qasje të qartë euroatlantike në dobi të një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe multietnike në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike.
Dy qeveritë tona ritakohen sërish pas më shumë se një viti, ndaj është mëse e natyrshme të orientohemi për një përpjekje bilanci, që do të na mundësojë jo vetëm një reflektim të qartë mbi çfarë është arritur, por edhe një pamje të qartë mbi hapat e pritshëm të radhës.
Një vështrim dhe një analizë të përgjithshme, tradita tashmë e konsoliduar e mbledhjeve të dy qeverive, është jo vetëm pozitive, por edhe produktive.
Ndërsa kemi zhvilluar tri takime ndërqeveritare, rezultatet janë konkrete, janë të dukshme, janë të prekshme dhe janë shpresëdhënëse.
Deklarata e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik mes dy vendeve e nënshkruar në Prizren, më 11 janar 2014, është harta e rrugës për përjetësimin e bashkëpunimit dhe harmonizimin e përpjekjeve tona në planin bilateral, rajonal dhe evropian.
Kemi strukturuar njëherësh mënyrën e punës, të komunikimit dhe të ndërveprimit, duke ngritur sekretariatin e përbashkët që bashkëkryesohet nga dy zëvendësministra të Punëve të Jashtme të vendeve përkatëse dhe që kanë në përbërje të tij përfaqësues nga të gjitha ministritë dhe institucionet e linjës.
Sekretariati ndjek, koordinon dhe bashkërendon punën ndërministrore në funksion të zbatimit të marrëveshjeve në kuadrin e takimeve ndërqeveritare.
Ministritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë grupet e përbashkëta të punës dhe zhvillojnë takime në mënyrë sistematike. Ashtu siç parashikohet në deklaratën e partneritetit strategjik, janë në zbatim e sipër disa marrëveshje dhe protokolle lidhur me lehtësimin e shkëmbimeve tregtare, heqjen e barrierave tarifore dhe jotarifore, unifikimin e certifikimit të mallrave, lehtësimin e mëtejshëm të procedurave dhe të kostove doganore.
Është mundësuar tashmë shkëmbimi elektronik i dokumentacionit për kalimin e mallrave transit përmes Shqipërisë, destinacion Kosovën, duke lehtësuar ndjeshëm të gjithë procedurën e transitit.
Kjo ka shfrytëzuar në mënyrë të rëndësishme kohën për kryerjen e këtyre procedurave.
Po punohet për hapjen e pikave të tjera doganore përmes dy vendeve për të lehtësuar edhe më tej transportin e mallrave.
Është vendosur në funksion linja e gjelbër për makinat e mallrave në pikën doganore të Morinës, çka lehtëson transportin, veçanërisht në stinën e verës kur ka një fluks të dendur të automjeteve.
Pavarësisht kësaj, kemi ende punë për të bërë, që ta ulim shumë më tepër akoma kohën që qytetarët kalojnë në kufi dhe të mundësojmë një transit sa më të shpejtë të tyre.
Do të vijojmë punën për hapjen e zyrës operacionale të Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit dhe kjo do të thotë që një zyrë e tillë të jetë operative një orë e më parë.
Ministritë e Punëve të Jashtme, të Financave dhe të Autoriteteve Doganore të dy vendeve tona, janë në bashkëveprim të vazhdueshëm në funksion të konkretizimit të këtij projekti, brenda, shpresojmë të një kohe sa më të shkurtër.
Hapja e kësaj zyre do të ndikojë dukshëm në lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të Kosovës edhe me vende të tjera.
Keni parasysh, që vetëm në periudhën janar-tetor 2017, rreth 120 mijë ton mallra, të përpunuara në Portin e Durrësit, u përkasin eksport-importeve transit me Kosovën.
Eksporti transit nga Kosova përbënë11 për qind të volumit të mallrave të përpunuara në këtë port, ndërsa importi transit për në Kosovë 10 për qind.
Mallrat me destinacion Kosovën do të kryejnë të gjitha procedurat doganore në Portin e Durrësit pa pasur nevojën e ndalesave të tjera në pikat doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Kjo do të përbëjë një shkurtim drastik të kohës për kryerjen e procedurave, do të ulë ndjeshëm kostot e mallrave dhe patjetër do të rrisë përfitimet tregtare.
Rrjedhimisht, tregu i Kosovës rrit atraktivitetin e tij për mallrat nga jashtë, duke mundësuar diversifikimin e vendeve nga të cilat importohet.
Në ndërkohë, duhet ta them se edhe pse ka përfunduar linja e interkonjeksionit 400 kv mes dy vendeve, që për fat të keq ende nuk po vjen në punë për shkak të mungesës procedurale të krijuara nga jashtë, mbetemi në një inpas sa të palogjikshëm, aq edhe të dëmshëm në raport me këtë investim kaq të rëndësishëm.
Kjo linjë e interkonjeksionit 400 kv, është, pa as më të voglin dyshim një aks strategjik, për të rritur ndërveprimin, dhe jo thjeshtë për të afruar shumë më tepër të dy shtetet tona, por për të konsoliduar një proces tërësor rajonal.
Të parit e kësaj linje, si thjeshtë një linjë mes Shqipërisë dhe Kosovës, është një mënyrë të pari, me të cilën ne nuk pajtohemi dhe për të cilën ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që të ndryshojë.
Jemi angazhuar poashtu për të degëzuar gazsjellësin transadriatik për në Kosovë dhe më tej në rajon, çka do të krijonte akces në këtë linjë të rëndësishme të furnizimit me gaz edhe shtetit të Kosovës.
Po ecim në bashkërendimin e dy palëve për sa ju takon projekteve infrastrukturore, që janë edhe pjesë e rëndësishme e interkonektivitetit në kuadër të procesit të Berlinit.
Më vjen mirë që të konstatoj bazuar në shifra, se ka një rritje të interesit të ndërsjellë në fushën e biznesit. Statistikat flasin shumë qartë për këtë.
Nëse në vitin 2015 në Kosovë janë regjistruar 80 biznese të reja nga Shqipëria, në vitin 2016 është regjistruar dyfishi.
Aktualisht në Kosovë, ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 930 biznese nga Shqipëria, ndërsa rreth 600 kompani nga Kosova operojnë në Shqipëri.
Volumi tregtar me Kosovën përbënë 2.7 për qind të tregtisë së përgjithshme të Shqipërisë, ndërkohë që 10 vjet më parë, përbënte vetëm 1.1 për qind.
Në periudhën kohore të këtij dhjetëvjeçari, tregtia mes dy shteteve tona është mbipesëfishuar, nga rreth 30 milionë euro në 165 milionë euro.
Por, sigurisht që kjo është një shifër, e cila krahasuar me ambiciet dhe mundësitë tona, mbetet modeste.
Viti aktual i ka të gjitha shanset që të konfirmohet jo vetëm si viti më i suksesshëm në shkëmbimet tregtare midis dy vendeve, por edhe si një vit që konfirmon atë që sapo thash, potencialin e jashtëzakonshëm për t’u rritur në këtë aspekt, duke kaluar në përtej shifrës prej 200 milionë eurosh.
Për periudhën janar – shtator, sipas të dhënave tona, eksportet shqiptare janë rritur në mbi 15 miliardë Lek, nga 12 miliardë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, importet nga Kosova në 9 muajt e parë të vitit, arrijnë në 6.1 miliardë, nga 4 miliardë në janar-shtator 2016. Dukshëm potenciali është tejet më i madh dhe këtë dua ta rinënvizoj.
Për këtë arsye, të dyja qeveritë, do të punojnë me këmbëngulje për të lehtësuar më tej procedurat në mënyrë që në të ardhmen të kemi shkëmbime në sasi dhe vlera shumë më të mëdha.
Është shumë e rëndësishme që ekonomitë tona të orientohen kah njëra- tjetra me të gjithë komponentët përbërës të tyre.
Nga ana tjetër qasja në qeveritë tona ka adoptuar. Në kuadër të një rajoni që dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian, është nxitja e qarkullueshmërisë, ndërlidhshmërisë, përmirësimit të standardeve, duke përdorur të gjitha instrumentet në dispozicion për rrëzimin e të gjitha barrierave të çfarëdollojshme dhe për të nxitur shkëmbimet tregtare në çdo formë dhe mënyrë.
Me Kosovën, por edhe me vendet tjera të rajonit, përfshirë Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, ne jemi angazhuar në një proces të tillë, në funksion të përfitimit të ndërsjellë, pikërisht, sepse besojmë te bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva e përbashkët evropiane.
Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe funksionalizimi i zonës ekonomike rajonale.
Sigurisht në këtë kontekst, ne do të mbetemi të vendosur për të fuqizuar veprimin tonë të pakursyer diplomatik, në mbështetje të aspiratave euroatlantike të Kosovës dhe sidomos të gjithë përfshirjes saj rajonale, si e vetmja mënyrë për një rajon në paqe të sigurt dhe të integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Sidoqoftë, thellimi i partneritetit strategjik, është një proces që nuk përshkruhet dot pa sfida.
Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se kjo sipërmarrje e përbashkët, unike, kërkon kurajë të përditshme nga të dyja palët, për të përballuar tendencat bllokuese të interesave të çastit të klaneve dhe monopoleve, të cilët nuk e gjejnë asnjëherë veten në efektet dobiprurëse afatgjata të ekonomisë dhe të tregut të integruar.
Është në interesin e përbashkët që t’i rezistojmë këtyre presioneve dhe të punojmë për të gjetur e ndërtuar të gjithë mekanizmat që fuqizojnë arritjet e deritanishme.
Të gjithë në Shqipëri dhe Kosovë presin me plotë të drejtë shumë më tepër akoma prej nesh.
Është e nevojshme në këtë stad, që ne ta konkretizojmë hap pas hapi, partneritetin strategjik me Kosovën, duke e bërë atë gjithëpërfshirës dhe me synimin për ta kthyer në çdo hap në një shembull inkurajimi dhe frymëzimi për bashkëpunimin rajonal në tërësi.
Dhe, pikërisht në funksion të kësaj ambicie të rëndësishme, ne po angazhohemi e dakordësohemi në këtë mbledhje, drejt një qasje të re e cilësore, që nxit shkëmbimet e gjithfarëshme, një ndërlidhje më të madhe të lëvizjes së shtuar dhe kapitalit tregtar dhe atij njerëzor.
Në marrëveshjet dhe protokollet e reja, që do të nënshkruaj sot, ne besojmë që do t’i japim një shtysë të re nxitjes së investimeve të ndërsjella dhe lehtësimit të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, si dhe me vendet e rajonit dhe më gjerë.
Edhe njohja e ndërsjellë e të drejtës për pension të qytetarëve tanë, është padyshim, për së pari, njohje e mirëfilltë e lidhjeve dhe lëvizshmërisë gjithnjë në rritje mes dy shteteve dhe shoqërie tona dinamike.
Përmirësimi i lidhjes energjetike, përbënë gjithashtu një qëllim të vazhduar, që si gjatë këtij takimi ndërqeveritar, edhe më tej, do të përforcojë kapacitetet tona për pjesëmarrje aktive në korridoret energjetike dhe në tregun rajonal dhe atë evropian.
Një dinamikë e re e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, ndikon drejtpërsëdrejti në mirëqenien e hapësirës mbarë shqiptare.
Me këtë vizion, ne po i kushtojmë vëmendje parësore në këtë mbledhje dhe rritjes së bashkëpunimit mes dy shteteve për aktivizimin e diasporës sonë të kudondodhur nëpër botë.
Siç e tregoi Samiti i parë i Diasporës, i zhvilluar në Tiranë në vitin e kaluar, diaspora mbetet një aset i vyer dhe i përbashkët, një potencial i pasur, i pamatë, por i pashfrytëzuar, i cili duhet përfshirë sa më gjerësisht në hartimin dhe zbatimin e politikave tona në tërësi, përmes edhe të ndonjë veprimi konkret në interes reciprok.
Në përputhje me këtë angazhim të përbashkët, përveç që do të fuqizojmë bashkërisht për hapjen e kulturës të gjuhës shqipe për diasporën, do të punojmë për të riparë strukturat dhe për të krijuar mekanizmat që do të veprojnë bashke me Kosovën, për ta bërë diasporën tonë pjesë dhe kontribuese të rrugëtimit të përbashkët.
Me këtë vështrim të ri strukturor dhe optik, rrënjësisht evropiane, le të punojmë që ky takim i katërt, të çel një tjetër kapitull, në funksion të një bashkëpunimi më pragmatik dhe rezultativ, që rezulton vlerë të shtuar, jo vetëm në ekuilibrat gjeopolitik të rajonit, por edhe në perspektivën e përbashkët euroatlantike.
“Historia e vërtetë e njerëzimit do të mund të shkruhet vetëm kur shqiptarët të lejohen të marrin pjesë në shkruarjen e saj”. Kështu thoshte gjysmë shekulli më parë, albanologu i madh, Maksimilian Lamberts.
Sot, këtu nga Korça, askush nuk mund të na pengojë më që të bëhemi edhe ne shkronjës të historisë së Evropës moderne.
Kemi nisur ta bëjmë këtë dhe është në dorën tonë që historinë ta shkruajmë në një mënyrë të tillë, që ajo nesër të flas mirë për ne.
Duhet vetëm të vendosim njëzëri se çfarë do të shkruajmë dhe së bashku atë që shkruajmë, ta bëjmë realitet.
Faleminderit!

Pas fjalëve hyrëse të kryeministrave, nga një fjalë e kanë mbajtur ministrat e dikastereve përkatëse, të cilët kanë nënshkruar marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi.

Të ngjashme