Gashi dhe Navracsics nënshkruan marrëveshjen për pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa Kreative”

Bruksel | 06 Qer 2018 | 16:18 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar në Bruksel, Marrëveshjen me Bashkimin Evropian, për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së “Evropa Kreative”.

Ministri Gashi ka takuar në zyrat e Komisionit Evropian, komisionerin Tibor Navracscis, me të cilin ka nënshkruar në emër të Republikës së Kosovës, marrëveshjen për mbështetje nga BE-ja të sektorëve kulturorë dhe kreativë.

Ministri Gashi ka thënë se pjesëmarrja e vendit në këtë program është shumë me rëndësi, sidomos për fushëveprimtarinë e MKRS-së.

“Mbështetja për sektorin kulturor dhe audiovizual nga programi është në përputhje me politikat prioritare të MKRS-së për nismat mbështetëse në sektorin e kulturës, siç janë platformat kulturore, ngritja e rrjeteve kulturore, përkthimi i literaturës, si dhe promovimi, zhvillimi, shpërndarja dhe qasja në veprat audio-vizuale”, ka deklaruar ministri Gashi, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit konsideron se pjesëmarrja e Kosovës në programin “Evropa Kreative” do të ndihmojë promovimin e aktiviteteve në sektorin kulturor përmes projekteve të bashkëpunimit; projektet e përkthimit letrar; krijimin e rrjeteve; Platformat evropiane etj.

Si rezultat, pjesëmarrja në këtë program do t’iu mundësojë artistëve dhe profesionistëve kulturorë evropianë, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve që të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese në dispozicion të miliona qytetarëve.

Kreu i MKRS-së ka theksuar se programi i Evropës Krijuese do të kontribuojë, me tjerash, për ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor evropian, ndaj synimeve evropiane për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe do të ndihmojë sektorët kulturorë dhe krijues të përshtaten me epokën digjitale dhe globalizimin, krijimin e mundësive të reja ndërkombëtare, tregjeve dhe audiencës.

MKRS bën të ditur se tashmë ka themeluar Deskun Evropa Kreative Kosovë – Zyra e Kulturës, e cila si mandat ka ofrimin e informatave dhe promovimin e programit, asistimin e sektorëve kulturorë dhe kreativë në relacion me programin dhe mundësitë e ofruara, organizimin e ngjarjeve dhe sesioneve, si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me Nën-Programin Kulturë në kuadër të Programit “Evropa Kreative”.

Të ngjashme