Gashi: Heshtja e Haradinajt strategji e qëlluar – intervistimi nga Specialja për shkak të taksës

Prishtinë | 24 Kor 2019 | 19:59 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj pas intervistimit nga prokurorët e Dhomave të Specializuara në Hagë ka thënë se ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore për të mos iu përgjigjur pyetjeve të tyre.

Këtë veprim të Haradinajt, avokati Tomë Gashi në aspektin juridik e ka quajtur si një strategji shumë të qëlluar.

“Besoj që është një prej strategjive dhe teknikave dhe mund të them se e vetmja që ka një sens juridik dhe normal. Edhe të gjithë të tjerët që janë paraqitur si të dyshuar kanë bashkëpunuar me drejtësinë edhe me gjykatat ndërkombëtare – po i them ndërkombëtare sepse i ka atributet e një gjykate të tillë – kanë përdorur këtë teknikë”.

“Prokurori e ka obligim që ai ta provojë krimin apo veprën penale. Barra e provës është tek prokurori dhe nëse i ndihmon për të vërtetuar diçka kundër teje atëherë nuk është veprim i mirë. Nëse ia dështon t’i lirohesh. Ajo që thuhet në përgjigje mundet që në të ardhmen të konsiderohet si një fakt i provuar dhe më nuk mund të i mohosh. Njëherë për njëherë është strategjia më e mirë që ka mundur të përdoret”.

Por çka do të ndodhë pas kësaj procedure?

“Prokurorët duket se e kanë ditë se si do të përgjigjen një pjesë e madhe e komandanteve të UÇK-së sepse s’ka sens juridik që të japësh material kundër teje apo. Prokurori ka një mori mundësish gjatë hetimeve Prokurori mund ta marrë në pyetje dikë që në fillim të hetimeve – gjë që nuk e bëjnë atë që janë mjeshtër të këtij zanati. Ai mund ta marrë në pyetje në mesin e hetimeve apo kur të do ai dhe mund ta marrë në pyetje apo t’ia japë mundësinë e sqarimeve në përfundim të hetimeve, para ngritjes së aktakuzës eventuale ndaj dikujt”.

“Kjo i bie që gjatë gjithë procedurës së hetimeve mund t’i jepet mundësia që ai t’i mohojë, t’i arsyetojë pretendimet apo provat që janë sjellë nga dëshmitarët”.

“Prokurori nuk ka një afat të caktuar kohor se kur do të ngritë aktakuzë pas intervistimit. Për ta thënë më thjesht: Sot është intervistuar Ramush Haradinaj në heshtje që i bie se nuk është intervistuar, por aspekti formal është përmbushur sepse i është dhënë rasti që të japë sqarime apo të deklarohet”.

Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se në rast të ngritjes së aktakuzës atëherë Hardinaj do të përballet me Gjykatën Speciale, por se deri më tani asnjë nga të intervistuarit nuk janë takuar me gjyqtarë.

Ai shtoi se mediat në Serbi po spekulojnë rreth asaj se për çka po dyshohen ish-ushtarët e UÇK-së sepse ende nuk dihet.

“Të gjitha institucionet e Serbisë që kanë mbledhur prova kundër ushtarëve të UÇK-së do të përdoren nga Dhomat e Specializuara. Edhe në baza ligjore e kemi deklarimin e fundit të Ministrit të Drejtësisë, se të gjitha materialet që i kanë pasë i kanë dërguar në Hagë. Por varet se sa janë kredibile ato”.

“Në shumicën e rasteve provat që janë dërguar në Hagë janë marrë si prova kredibile. Serbët shumicën e provave i kanë dërguar në aspektin medicinal, për shembull një person që ka vdekur prej gjuajtjes me armë, por se nga kush është vrarë nuk dihet”.

Gashi duke treguar se për dallim nga herët e kaluara kur Haradinaj është paraqitur në Hagë këtë herë ka qenë më i relaksuar, tha se beson se këtë radhë është ftuar për shkak të taksës.

“Besoj që Haraindaj është ftuar për shkak të taksës që i ka vënë Serbisë. Sipas meje Gjykata Speciale është krejtësisht politike dhe është gjykatë ndërkombëtare. Si mund të jenë të ndikuara politikisht gjykatat e Kosovës – kjo nuk është. Nuk ka as shenja që tregojnë se ajo gjykatë është e Kosovës. Vetëm me shkronja të vogla shkruhet “Dhomat e Specializuara të Kosovës”, sepse po të shkruhej Republika e Kosovës, serbët nuk do të shkonin për të dhënë dëshmi”.

Të ngjashme