Gashi: Ivan Todosjieviq është dashur që të arrestohet për nxitje të urrejtjes

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Avokati Tomë Gashi ka thënë se ministri Ivan Todosjieviq, është dashur që të arrestohet nga organet e rendit dhe ligjit për mohimin e Masakrës së Reçakut.

Ai këto komente i ka bërë në emisionin Sytë 7, duke shtuar se Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka vepruar mirë kur ka kërkuar shkarkimin e Ivan Todosjieviq.

“Unë besoj se Kryeministri Haradinaj ka vepruar mirë kur ka shkarkuar ministrin Ivan Todosjieviq, pasi që për arsye të njëjta, ai e ka shkarkuar zëvendësministren Vesna Mikiq për komentet ndaj NATO-s”.

“Shkarkimi i ministrit Ivan ka pasuar për shkak se e ka mohuar Masakrën e Reçakut që ka qenë masakra të cilën e ka parë ambasadori William Walker dhe që e ka quajtur krim kundër njerëzimit”.

“Unë besoj se ky ministër është dashur që të arrestohet për nxitje të urrejtjes sepse deklaratat e tij kanë qenë shumë fyese për shqiptarët”.

“Falë angazhimit të ambasadorit Walker në Kosovë, tani e gjithë bota është në dijeni për Masakrën e Reçakut”.

“Duke e pasur parasysh se ministrat dhe zyrtarët që vijnë nga lista serbe e kanë Kryeministër Vuçiqin, ata janë këtu për dy arsye. Në njërën anë që të mbeten pjesë e organeve të Kosovës dhe në anën tjetër ta implementojnë politikën e Beogradit në Kosovë”.

Të ngjashme