Gërvalla-Shwarz kritikon BE-në intervistën për “Newsweek”: E ka humbur besueshmërinë dhe autoritetin në Ballkan

Prishtinë | 09 Dhj 2021 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se Bashkimi Evropian ka humbur besueshmërinë dhe autoritetin në Ballkan, duke përmendur anëtarësimin e Kosovës në BE, si dhe duke theksuar se BE nuk po tregohet serioze në parandalimin e konflikteve.

Gërvalla-Schwarz i ka bërë komentet në një intervistë për revistën amerikane “Newsweek”, pikërisht në ditën që do të mbahet Samiti i Demokracisë në SHBA.

Ajo ka thënë se SHBA-ja është “polica e sigurimit jetësor” e shtetit të Kosovës.

“Duke injoruar gjerësisht kërcënimin në rritje BE ka humbur – dhe po humb çdo ditë e më shumë – besueshmërinë dhe autoritetin në Ballkan. Në njërën anë, ata e kanë atë që e quajnë metodologji të BE për çeljen apo jo të negociatave për anëtarësim me shtetet e Ballkanit. Në anën tjetër, BE nuk është mjaftueshëm serioze në parandalimin e konflikteve dhe ka humbur mjaft nga autoriteti duke iu shmangur rregullisht adresimit të çështjes së bulizimit agresiv të Ballkanit”, tha Gërvalla-Schwarz për Newsweek.

Ajo është pyetur edhe rreth raporteve të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me administratën e Joe Biden, meqë në Samitin e Demokracive të organizuar nga SHBA’jë është ftuar vetëm presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ministrja e Jashtme, siç shkruan “Newsweek”, ka hedhur poshtë çfarëdo sugjerimi se Shtëpia e Bardhë po i ftohë raportet me kryeministrin e Kosovës.

“Na takon neve të bindim miqtë dhe aleatët tanë për hapat që po ndërmarrim në fusha të ndryshme”.

Ajo tutje ka shtuar se s’ka kurrfarë dyshimi se SHBA-ja është fuqishëm në anën e Kosovës.

“Ne e dimë që Kosova ka një mik të vërtetë dhe të qëndrueshëm në Shtëpinë e Bardhë, që e ka njohur Kosovën që nga 1990 dhe që ka qenë përkrahëse përgjatë rrugëtimit tanë të gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë”.

Ajo shtoi me vetëbesim se SHBA qëndron fuqishëm prapa Kosovës, duke shpërfillur porositë e vazhdueshme e njëzëri të SHBA-së dhe BE-së për dialogun në Bruksel.

Të ngjashme