Gërvalla takon kryetarin Arifi në Bujanoc, flasin për bashkëpunim konkret me Qeverinë e Kosovës

Prishtinë | 16 Dhj 2021 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, znj. Donika Gërvalla po viziton sot Luginën e Preshevës. Në kuadër të agjendës së ngjeshur të takimeve ku parashihen diskutime dhe konsulta me përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe qytetarë, ministrja Gërvalla ka takuar kryetarin e Bujanocit, z. Nagip Arifi.

Gjatë këtij takimi, Gërvalla e ka siguruar kryetarin Arifi që kjo vizitë është pjesë e përkushtimit të fuqishëm institucional të Republikës së Kosovës për avancimin e pozitës së shqiptarëve të Luginës. 

Në fokus të këtij takimi ishte shqyrtimi i sfidave dhe mundësive me të cilat përballen shqiptarët e Luginës, si dhe fuqizimi i bashkëpunimit mes Luginës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ministrja Gërvalla theksoi gjatë këtij takimi se ekziston një përkushtim që të identifikohen temat dhe kërkesat për të cilat do të ofrohet përkrahje e vazhdueshme nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Ajo ngriti çështjet që lidhen me përkrahjen financiare për projekte zhvillimore, si dhe mundësitë që të përkrahen fusha si: arsimi i lartë, kultura dhe projekte tjera.

Ministrja Gërvalla e siguroi kryetarin Arifi se sensibilizimi i komunitetit ndërkombëtar për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës dhe qasjen diskriminuese të institucioneve të Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës, është një temë e rëndësishme e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.

Në përmbyllje të takimit, ishte dakordim i bashkëbiseduesve se duhet punuar në të gjitha nivelet, dhe se duhet pasur një qasje të harmonizuar dhe strategjike.

Të ngjashme