Gjorgjeviq: Vuçiq po distancohet nga Serbia, po i afrohet Prishtinës

Prishtinë | 28 Kor 2020 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

“Aleksandar Vuçiq po distancohet nga Rusia, sepse po afrohet marrëveshja gjithëpërfshirëse midis Beogradit dhe Prishtinës”, pohon aktivisti i opozitës Mlagjan Gjorgjeviq në një tekst autorial për portalin e agjencisë federale ruse Regnum.

Ka kohë që në këtë sajt, e edhe më gjatë në bisedimet me miqtë e mi rus, kam tërhequr vërejtjen në faktin se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke përgatitur atë që në tekstin e botuar me rastin e “Ditës së fitores” e quaja “kthesë e Gjukanoviqiane”: largim nga rusofilia e vet e rrejshme drejt një rusofobie të hapur e të pafshehur, të ngjashme me atë që ka bërë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, duke i kthyer shpinën miqësisë shekullore ruso-malazeze dhe duke e futur Malin e Zi në NATO.

Përfundime të tilla janë pasojë e proceseve që janë më se të dukshme në shoqërinë serbe, veçanërisht në qarqet patriotike serbe midis atyre që njohin Rusinë dhe vërtet mbrojnë miqësinë e popujve tanë.

Në muajt e fundit, ky kurs i politikës së jashtme është përshpejtuar ndjeshëm dhe fushata e hapur anti-ruse në mediat afër partisë progresive serbe në pushtet dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq është bërë gjithnjë e më e qartë.

Fjala është kryesisht, megjithëse jo përjashtimisht, për shtypin e verdhë, kryeredaktori jozyrtar i të cilit është këshilltari i Vuçiqit, Vladimir Beba Popoviq, emëruesi i përbashkët i Vuçiqit dhe Gjukanoviqit.

Historikisht, situata në mënyrë të pashmangshme të kujton 1948 dhe përgatitjen për “jo”-në e njohur të Josip Broz Titos, që ka shënuar fillimin e konfliktit të ftohtë të ish-Jugosllavisë, nga njëra anë, dhe Stalinit, BRSS (deri atëherë partneri më i rëndësishëm në politikën e jashtme) dhe me të gjithë Informburo-në, nga ana tjetër.

Kësaj vale të histerisë anti-ruse nuk i iku as ambasadori i Rusisë, Aleksander Bocan-Kharchenko.

Atij së pari, në fillim të majit, iu deshi të mohonte pretendimet e keqinterpretuara nga një intervistë në të përditshmen më të vjetër të Serbisë, “Politika”, lidhur me atë se Rusia gjoja do të pranonte të ndryshojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB, e cila mban Kosovën dhe Metohinë pjesë të Serbisë, në mënyrë që disa ditë më parë të bëhej edhe vetë objekt i sulmit të gazetës serbe “Srpski Telegraf”.

Zaten, pas protestave të fundit kundër rivendosjes së orës policore për të luftuar virusin korona, ka filluar fushata më e hapur anti-ruse në 20 vitet e fundit në Serbi.

Pothuajse nuk kishte media, televizion dhe gazeta që nuk raportonin për përfshirjen e pretenduar të Rusisë në organizimin e protestave të dhunshme në Beograd.

Madje edhe nënkryetari i bashkisë së Beogradit, Goran Vesiq, më ka përmendur si njërin prej organizatorëve kryesorë të këtyre protestave, që është një marrëzi absolute.

Sidoqoftë, kjo shërbeu për shumë tabloide për të ndërtuar një seri të tërë akuzash absurde kundër njerëzve të shquar rusë, miq të vërtetë të Serbisë dhe popullit serb, për shkak të përfshirjes së tyre të pretenduar në organizimin e protestës.

Më së largu ka shkuar pikërisht “Srpski Telegraf”, i cili në rrjetin e “shtetit të thellë rus, që pas shpinës së Putinit dëshiron të rrëzojë Aleksandër Vuçiqin” , ka përfshirë madje edhe Svetlana Medvedev, gruan e ish-kryeministrit Dimitry Medvedev, pastaj Leonid Reshetnikovin, drejtorin e fondit “Shqiponja dykrerëshe”, dhe ish-drejtorin e Institutit Rus për Hulumtime Strategjike, Jevgenij Primakovin e përmendur më parë, e madje edhe Fondin për Përkrahje të Diplomacisë publike “Gorchakov”.

Pas mohimit të pretendimeve të tilla nga ambasadori Bocan-Kharchenko, kryeredaktori i “Srpski Telegraf”, Milan Lagjeviq dha kushtrimin se ambasada ruse dëshiron të ngufasë lirinë e fjalës në Serbi, dhe shkoi në televizionin pro-qeveritar Pink, ku së bashku me ish-gruan e Vuçiqit, gazetaren Ksenija Vuçiq pothuajse akuzoi Rusinë se ishte fajtore, edhe për agresionin e NATO-s ndaj Jugosllavisë më 1999.

Përgjigja në pyetjen pse histeria antiruse po ndodh në Serbi në këtë formë tani është shumë e thjeshtë: arsyeja është vazhdimi i negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për statusin e Kosovës.

Në shumicën e mediave, si serbe, shqiptare dhe evropiane, thuhet hapur se negociatat për një marrëveshje për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve janë afër përfundimit, me ç’gjë Kosova do të fitonte të drejtën e anëtarësimit në KB, qoftë edhe pa njohjen e drejtpërdrejtë nga Serbia (si marrëdhëniet midis dy Gjermanive).

Meqenëse një veprim i tillë do të ishte një akt tradhtie ndaj Serbisë, në kundërshtim me Kushtetutën e vendit tonë dhe Rezolutën KS 1244, Vuçiqi po distancohet nga Rusia si garante e vetme e ruajtjes së tyre në këtë moment.

Të ngjashme