Gjyqtari që dha dënimin për Gucatin e Haradinajn ishte përfolur për skandale të rënda në EULEX

Prishtinë | 18 Maj 2022 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Nasim Haradinaj e Hysni Gucati janë dënuar sot nga Gjykata Speciale me katër vite e gjysmë bugim për vepra penale që lidhen me administrimin e drejtësisë.

Verdikti, krerëve të OVL-UÇK-së iu dha nga Trupi Gjykues me në krye gjykatësin Charles Smith III dhe gjyqtarët Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor që ishte gjyqtar rezervë, shkruan lajmi.net.

E vetmja pikë për të cilën Gucati e Haradinaj u liruan nga akuzat është ajo e “hakmarrjes”.

Emri kryesor në ekipin që dha verdiktin në shkallë të parë për Gucatin e Haradinajn është jo pak i njohur për publikun kosovar.

Charles Smith III, që në Trupin Gjykues në rastin Gucati dhe Haradinaj ishte kryesues, në të kaluarën kishte punuar edhe në EULEX. Në këtë mision, ai kishte punuar për 3 vite, nga 2010-a deri në 2013.

Gjatë kësaj periudhe ai ishte zgjedhur edhe nënkryetar e kryetar i Kuvendit të Gjykatësve të EULEX-it.

Mirëpo këtu nuk përfundon e gjithë historia e Charles Smith. Ai në një dëshmi të përpiluar nga kryetari i gjyqtarëve të EULEX, Malcolm Simmons përmendej se kishte ndikuar në rastet gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Në dëshminë e siguruar nga lajmi.net, Simmons kishte thënë se Smith, ia kishte dërguar atij një letër për rastin “Kleçka”, ku i bënte presion për verdiktin e tij.

“Kur u caktova në trup gjykues, më 2013 Charles Smith më informoi që misioni “varej shumë” nga rezultati i këtij rasti. Ai tha që misioni “priste dënime.” Madje ai tha që puna ime mund të rrezikohej nëse të pandehurit nuk dënohen”, kishte thënë Simmons në dëshminë e tij për gjyqtarin Smith.

Madje, këtë skandal të Smith, Simmons ia kishte raportuar edhe vet ambasadës së Britanisë në Kosovë.

Por ky nuk ishte rasti i vetëm kur Smith, ishte përfolur për ndërhyrje në procese gjyqësore të profilit të lartë.

Ai ishte përmendur se kishte telefonuar një gjykatëse tjetër të EULEX, të cilën e kishte “sugjeruar” që të jap një dënim me burg.

“Kleçka nuk ishte rasti i vetëm kur Charles Smith kishte bërë përpjekje të ndërhynte në rezultatin e rastit. Unë e ndaja zyrën me një gjyqtare tjetër të EULEX-it. Me 18 korrik 2013 kolegia ime gjyqtare e EULEX-it mori një email nga Charles Smith, në të cilin ai e udhëzonte atë lidhur me mënyrën si të vazhdojë në një rast penal të profilit të lartë, në të cilin rast ajo ishte kryesuese. Isha po ashtu i pranishëm me 11 dhe 15 korrik 2013 kur ajo pranoi thirrje telefonike nga Charles Smith, të cilat i lëshoi në altoparlant, gjatë të cilave Charles Smith u përpoq të ndërhyjë në rastin e njëjtë duke sugjeruar që ajo ta shqiptonte një dënim me burgim. Unë i përmenda këto biseda në një email të menjëhershëm që ia dërgova asaj”, kishte thënë Simmons në dëshminë e tij.

Të ngjashme