Hajdar Beqa sfidohet nga 23 kandidatët e LDK-së dhe VV-së në Gjakovë

Prishtinë | 04 Shk 2021 | 19:54 | Nga Ekonomia Online

23 kandidatë i kanë vendosur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje përball Hajdar Beqës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë.

Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë do të garojë ndaj 23 kandidatëve të LDK-së dhe LVV-së të cilët vijnë nga kjo komunë. Përkrah Hajdar Beqës, PDK-ja ka vendosur edhe Hisen Berishën. Ata janë dy kandidatët e vetëm të PDK-së nga Gjakova.

13-shën e AAK-së nga Gjakova e kryesojnë Pal Lekaj, Anton Shala e Lahi Brahimaj. Ata mbështeten edhe nga dhjetë kandidatë të tjerë.

Ndërkaq, Vetëvendosje synon të sigurojë vota në Gjakovë nga Mimoza Kusari-Lila dhe nëntë kandidatë të tjerë.

Por, të vetëm përball tyre gjenden Beqa dhe Berisha nga PDK-ja.

Në zgjedhjet Nacionale të vitit 2007, kur Hajdar Beqa nuk ka qenë kryetar i Degës së PDK-së në Gjakovë, kjo parti në atë kohë kishte arritur të grumbulloj vetëm 2096 vota, deri sa në zgjedhje Lokale 1889 vota.

Hajdar Beqa është emëruar në krye të degës së PDK-së në Gjakovë në vitin 2013. Në zgjedhjet Nacionale të vitit 2014, PDK-ja në Gjakovë ka grumbulluar 6166 vota. Pra, ka një rritje prej 4070 vota.

Po ashtu, edhe në zgjedhjet Lokale të vitit 2013, PDK-ja në Gjakovë kishte pasur 6762 vota.

Pra, ka një rritje prej 4873 vota.

Në zgjedhjet e vitit 2019 PDK-ja, ka grumbulluar në Gjakovë rreth 4000 vota, pra ka pasur një rënie të lehtë të votave, pasi që në këto zgjedhjet kandidat i koalicionit për kryeministër ishte Ramush Haradinaj, pra kandidat i AAK-së.

Deri sa sa në zgjedhjet lokale të vitit 2017 PDK-ja ka grumbulluar mbi 5700 vota, një dallim i lehtë me votat e kësaj partie në zgjedhjet e kaluara.

Beqa është aktivizuar prej ditësh në para fushatën zgjedhore. Ai ka marrë pjesë në tubime me qytetarë në Komunën e Gjakovës, por edhe në komunat përreth.

Ish-deputeti u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i besojnë Enver Hoxhajt, kandidatit të PDK-së për kryeministër, sikurse i kanë besuar dy ish-liderëve të partisë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. /Insajderi.org

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme