Hamiti për ‘Mini-Shengenin’: S’mund të jemi pjesë e iniciativave që e relativizojnë shtetësinë e Kosovës

Prishtinë | 23 Dhj 2019 | 18:32 | Nga Ekonomia Online

Muhamet Hamiti, publicist dhe veprimtar i LDK-së, nuk po e sheh si të qëlluar iniciativën për krijimin e ‘Mini-Shengenit’ Ballkanik.

Në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës, Hamiti tha se një gjë e tillë nuk është menduar mirë dhe se ka nisur keq.

“Spektri politik i Kosovës, pushteti, kryeministri, presidenti etj…  e kanë kundërshtuar këtë lloj modaliteti me shengenin dhe mund të them se po bëhet shumë pa shije ndaj Kosovës. Nuk mund të flasësh për këtë në një kohë kur Vuciqi javë më parë mohonte krimet në Kosovë dhe për çdo vit e çdo muaj mohon se ekzistojnë kufijtë e Kosovës”.

“Nuk mund të bëhemi pjesë e iniciativave që e relativizojnë shtetësinë e Kosovës”.

Hamiti pohoi se nuk ishte në interesin e Kosovës pjesëmarrja në samitin e organizuar ditë më parë në Tiranë.

“Para çdo organizimi të aktiviteteve të tilla palët duhet t’i shohin interesat e tyre dhe të binden për arsyeshmërinë e pjesëmarrjes. Me këto lloj acarimesh nga Tirana dhe Beogradi ku në të njëjtën kohë kërkohet pjesëmarrje nga Kosova, është një lloj dyfytyrësie”.

“Ne jemi shtet i pavarur, organizime të tilla duhet të strukturoheshin paraprakisht dhe duhet të konsultoheshim para se të konstruktohej një aktivitet i tillë”.

Ai gjithashtu tha se Shqipëria ka ngecur mbrapa në proceset evropiane, andaj sipas tij, Edi Rama është futur në ato që Hamiti i quan “aventura” – ku përmendi edhe idenë për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Hamiti thekson se Kosova nuk ka nevojë për patronizmin e Ramës.

Të ngjashme