Hamiti: Zhurma patriotike e Kurtit, që tingëllon muzikë në veshët e përkrahësve të tij, nuk e çon përpara vendin tonë

Prishtinë | 16 Qer 2021 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitar dhe anëtari i Kryesisë së LDK’së Muhamet Hamiti, ka komentuar takimin e djeshëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vucic, duke thënë se fjalimet e dy liderëve ishin me retorikë patriotike e për konsum të brendshëm në dy vendet

Hamiti, përmes një shkrimi në Facebook tha se përkundër angazhimit të madh të BE’së dhe SHBA’ve, për nevojën urgjente që dialogu të përmbyllet me marrëveshje, Serbia tregoi se nuk është e interesuar për dialog rezultativ, që çon në njohje të Kosovës.

Ndërsa fjalimin e Kurtit, Muhameti, e cillësoi si zhurmë patriotike që tingëllon muzikë në veshët e përkrahësve të tij, e nuk e çon përpara vendin.

‘’ Zhurma patriotike e Kurtit, që tingëllon muzikë në veshët e përkrahësve të tij, nuk e çon përpara vendin tonë. Ai nuk është më opozitar, por Kryeministër i Kosovës. Duhet të bëjë ç’është e mundur për t’i dhënë fund gjendjes së status kuosë në raportet e vendit tonë me Serbinë. Me asgjë të mos bëhet mbulesë për strategjinë e Serbisë për ta zvarritur këtë proces, për të fituar kohë, me synimin e Vuçiqit e të regjimit të tij që në këtë ndërkohë të fitojë hapësirë për aranzhmane diabolike që do të defunksionalizonin shtetin e pavarur e sovran të Kosovës’’, shkroi Hamiti.Reklamë

Ai tha se kryeministri Kurti duhet ta lë retorikën e opozitarit, dhe të bëj punën e kryeministrit, në marrëdhënie të brendshme e të jashtme të vendit.

Ky është postimi i plotë:

‘’ Jehona e takimit të Brukselit: shumë zhurmë patriotike

Mbas takimit të djeshëm të Kryeministrit të Kosovës me Presidentin e Serbisë në Bruksel, që, siç e thonë lehtësuesit e dialogut Kosovë-Serbi, është vazhdim i dialogut, dëgjuam paraqitjet mediatike të Kurtit dhe të Vuçiqit, që ishin fjalime populliste, me retorikë patriotike, për konsum të brendshëm në të dyja vendet. Takimi nuk shënoi rinisje të njëmendet të dialogut, as u kornizua vazhdimi i tij. Asnjë hap përpara nuk u bë dje.

Përkundër një angazhimi më të madh, të paktën deklarativ, të BE-së dhe të SHBA-ve, për nevojën urgjente që dialogu të përmbyllet me marrëveshje, Serbia sheshazi ende nuk është e interesuar për dialog rezultativ, që, pashmangshëm, në fund duhet të çojë në njohje të realitetit të Kosovës së pavarur, në njohje zyrtare të ndërsjelltë në kufijtë aktualë, pa e cenuar rregullimin e tashëm kushtetues të Kosovës.

Serbia e Vuçiqit është e interesuar për vazhdimin e status kuosë, për ngecje e jo për përparim. Gjendja e tillë nuk është në interesin e Kosovës që, mbas njohjes nga Serbia dhe nga pesë vendet e BE-së që nuk na kanë njohur ende, duhet të niset rrugës së integrimeve euro-atlantike.

Zhurma patriotike e Kurtit, që tingëllon muzikë në veshët e përkrahësve të tij, nuk e çon përpara vendin tonë. Ai nuk është më opozitar, por Kryeministër i Kosovës. Duhet të bëjë ç’është e mundur për t’i dhënë fund gjendjes së status kuosë në raportet e vendit tonë me Serbinë. Me asgjë të mos bëhet mbulesë për strategjinë e Serbisë për ta zvarritur këtë proces, për të fituar kohë, me synimin e Vuçiqit e të regjimit të tij që në këtë ndërkohë të fitojë hapësirë për aranzhmane diabolike që do të defunksionalizonin shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Kosova nuk guxon të dalë fajtore për shkak të mungesës së guximit dhe të dijes së Kryeministrit tonë, kur Serbia e do pezullimin e dialogut. Në këtë kurth të Vuçiqit s’bën të bjerë Qeveria e Kosovës.

Prandaj, Kryeministri Kurti duhet ta lërë retorikën e opozitarit e të bëjë punën e kryeqeveritarit të Republikës sonë, si në punët e brendshme, ashtu edhe në marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me vendet e tjera.

Të ngjashme