Haradinaj: Buxheti i Deçanit do të dyfishohet, investimet kapitale do të trefishohen

Prishtinë | 04 Tet 2017 | 18:58 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, hapi të mërkurën, fushatën në vendlindjen e tij – Deçan, ku premtoi se Qeveria e udhëhequr nga ai do të dyfishojë buxhetin dhe trefishojë investimet kapitale në këtë komunë.

Kreu i AAK-së, njëherësh kryeministër i vendit, Haradinaj, ka premtuar se do të ketë zhvillim të Deçanit si kurrë më parë.

“Çdo vit do të rritet buxheti i komunës, do të dyfishohet; investimet kapitale do të trefishohen; infrastruktura bazike e jetës ka me u përmbyll që të lëvdohemi me të”.

Haradinaj tha se buxheti do t’i dedikohet zhvillimit të bujqësisë, ndërsa premtoi trefishim edhe të granateve e subvencioneve.

“Njerëzit e kësaj komune, të gjithë që dinë me punu e janë të zotë, kanë me gjetë vendin e vet për të punuar. Deçani do të prijë me zhvillim ekonomik, me kuadro”, shtoi kreu i Aleancës.

“Për autostradën e Dukagjinit i kam ndarë 80 milionë e para që të kryhet vitin që vjen”, tregoi ai.

Edhe kandidati i ri i AAK-së për kryetar të Deçanit, Bashkim Ramosaj, në tubimin elektoral, u shpreh se deçanasit e meritojnë një jetë e kushte më të mira.

“I ka ardhur koha Deçanit që të ketë rrymë 24 orë, të ketë infrastrukturë të zhvilluar, e qytetarët e Deçanit të jetojnë dinjitetshëm”, theksoi Ramosaj.

Në vazhdim, ai ka shpalosur pikat kryesore të programit të tij.

Haradinaj: Kufiri veç në Çakorr

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fushatës zgjedhore sonte në Deçan ka folur edhe një herë për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Ai nga vendlindja e tij ka thënë se nuk ka marrëveshje nëse nuk pajtohen dy palët.“Derisa nuk e ka miratua parlamenti ynë, nuk ka marrëveshje dhe kjo marrëveshje për demarkacionin nuk vlen”, ka thënë ai.

Sipas tij, kur marrëveshja ratifikohet nga parlamentet e të dyjave vendeve atëherë mund të quhet e tillë.

“Ditën e parë që e kom marrë postin e kryeministrit e kam shkarku komisionin paraprak. Komisioni i ri do të gjejë fakte që është gabu më herët dhe se kufiri është në Çakorr dhe në Kullë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, pas gjetjes së këtyre fakteve, Kosova do të ulet së pari me miqtë e saj dhe atyre do t’ju prezantohen këto të gjetura e më pas edhe me fqinjët.

“Nëse duan fqinjët”, ka shtuar shefi i ekzekutivit. “Faktet janë në anën tonë dhe kështu ka me u zgjidhë ky problem”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme