Haradinaj-Stublla para takimit në Shtëpinë e Bardhë: Nuk besoj se kemi rrezik për t’u shqetësuar

Prishtinë | 03 Sht 2020 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës në ekipin negociator për dialogun me Serbinë, Meliza Haradinaj-Stublla, njëherit Ministrja e Drejtësisë, ka thënë nga Washingtoni se po nisin sot një ditë të rëndësishme për Kosovën.

Ajo pohon se delegacioni i Kosovës i cili sot hyn në Shtëpinë e Bardhë ka mandate dhe mirëbesim të dialogojë vetëm si shtet i pavarur përballë Serbisë, njofton Klan Kosova.

”Të nderuar bashkëqytetarë,

Është ora 7 mëngjes këtu në Uashington DC, tek po nisim një ditë kaq të rëndësishme për Kosovën.

Rolin aktiv amerikan në dialog e kemi kërkuar shumë gjatë.

Sot delegacioni i Kosovës që hyn në Shtëpinë e Bardhë ka mandat dhe mirëbesim të dialogojë vetëm si shtet i pavarur dhe sovran përballë Serbisë, e cila do të duhej të ndihet e turpëruar që ulet në tavolinë përballë Kosovës në disavantazh, pa kërkuar falje për krimet gjenocidale, dhe pa vënë para drejtësisë kriminelët e luftës.

Sot delegacioni i Kosovës ulet përballë Serbisë me këto parime të panegociueshme: ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues, dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës, me objektivin e vetëm për njohje reciproke me Serbinë. Çdo gjë tjetër jashtë kësaj kornize parimesh, është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe NUK BESOJ se kemi rrezik për t’u shqetësuar.

Përkundrazi: të gëzohemi sot, dhe të lirojmë frymën e mbajtur brenda nesh deri tash.
Rruga deri këtu nuk ishte e lehtë dhe pa pengesa.

Jemi këtu sepse Kosova nuk u zbraps kur ishte vështirë, dhe qëndroi e palëkundur në të drejtën e saj.

Zoti e bekoftë Amerikën!
Zoti e bekoftë Kosovën!”.

Të ngjashme