Haradinaj: Të gjitha partitë janë bërë bashkë në Istog, prej zori

Istog | 15 Dhj 2017 | 17:54 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Aleancës, njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, në tubimin e përmbylljes së fushatës zgjedhore në Istog, tha se i vjen mirë që të gjitha partitë janë bashkuar për të ndryshuar qeverisjen e keqe të LDK-së në këtë komunë.

“Kjo ka ndodhur për shkak se ata e kanë një zor. Nëse vazhdohet me këtë qeverisje, veç hargjohet Istogu”, u shpreh Haradinaj.

Ai tha se pas zgjedhjeve të së dielës do të vijë më shpesh për vizitë në këtë komunë, së bashku me ministrat e tij. “Sa herë të vijnë do të kenë nga një projekt për komunën e Istogut”, tha Haradinaj, para simpatizantëve të mbledhure në Shtëpinë e Kulturës.

Ai ka thënë se ditëve të fundit ka qëndruar në Istog dhe ka kaluar më shumë kohë më qytetarët e kësaj komune ku edhe është njoftuar për së afërmi me problemet e hallet e tyre.

“Unë këto ditë jam bërë i Istogut, kam kaluar më shumë kohë, e kam njohur më shumë. Kam pasur nderin që të qëndroj në disa familje dhe jam munduar që ta kuptoj çfarë po ndodhë në Istog. Kam takuar dhe komunitetin rom; kanë dërguar fjalë edhe serbët e Istogut, kemi me e votu Gani Dreshajn”, ka thënë Haradinaj.

Ai pret që të dielën, istogasit t’ia japin komunën e tetë për ta qeverisur AAK-së. “Nuk është gjithçka vetëm fitorja, por na jepni mundësinë me punu”.

“Edhe nëse është moti i vështirë, mos pritoni me dalë me votu. Mos shkoni veç një prej shpie; po merrni gra, reja e krejt”, ka porositur ai.

Në vazhdim, Haradinaj e ka lavdëruar kandidatin e tyre, Gani Dreshaj.

“Gania ka thënë se nuk e merr kerrin e Komunës, nuk e harxhoj paren e Komunës. Gania ka thënë se nuk shkon në dreka me paret e Komunës”.

“Ky po thotë e du Istogun se është vendi jem, po du me zhvillu”, u shpreh Haradinaj.

“Unë ia kam dhanë fjalën me nderu Istogun me nderu komunën e juaj. Mbi 60 milionë e kemi buxhetin e Kosovës për bujqësi; 8.8 milionë i jep BE-ja. Një pjesë e këtyre pareve ka me mbërri te ju, se e di që jeni njerëz punëtorë, e njerëz të mirë”.

“Unë kam punuar me presidentin Rugova. Partia që ai e ka themeluar, LDK, është parti e madhe, shumica kemi qenë në LDK. Por shikoni si ia kanë pru punët fëmijëve të presidentit, a u kanë mirë me lanë djalin pa kurrgjë, pa send; për vete nuk janë pa kurrgjë”, u shpreh Haradinaj, i cili ishte bërë kryeministër në kohën e ish-presidentit Rugova.

“Unë nuk jam korit me vlerat tona, të Kosovës. Unë e kam nderuar presidentin; do ta nderoj sot dhe do ta nderoj gjithë jetën, por jo për me fitu një votë”.

Dreshaj: Secila familje do ta ketë një të punësuar

Kandidati për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj, përsëriti edhe njëherë zotimet e tij kryesore të fushatës. Ai premtoi punësimin e 3000 personave, trajtim të barabartë të qytetarëve dhe bileta më të lira autobusi për të gjithë studentët istogas.

“Unë nuk kam zemër me ia ndal askujt socialin. Unë kam me dyfishu socialin ose kam me i shti në punë. Por kam me ua ndal disave socialin, që janë në gjendje të mirë. Unë ka me iu gjet punë 2000 grave e 1000 burrave; edhe nëse vdes qika jem ka me kry amanetin. Secila familje që nuk ka të punësuar, do të jetë i punësuar në Istog”.

Ai po ashtu premtoi se do të rregullojë përmendoren e ish-presidentit Rugova dhe të gjithë dëshmorëve.

Fjalë të mira, Dreshaj ka folur edhe për themeluesin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe Donika Kadajn-Bujupi, e cila është nga Istogu. Dreshaj ka thënë se ata nuk e kanë vendin në burg.

Në mbështetje të kandidatit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj, në tubim kanë folur dhe përfaqësuesit e Nismës për Kosovën, Iniciativës Qytetare për Istogun, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike.


Image may contain: 6 people, people smiling, people standing and indoor

Image may contain: 4 people, crowd and indoor

Të ngjashme