Havolli njofton zv.ministren për Punë të Brendshme të Austrisë për punën e AKK-së

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 16:35 | Nga

Shaip Havolli priti sot në takim znj. Karoline Edtstadler, zëvendës Ministren e Punëve të Brendshme të Austrisë së bashku me Shkëlqesinë e tij z. Gernot Pfandler, Ambasador i Austrisë në Kosovë dhe një delegacion nga shteti Austriak.

Në këtë takim, Havolli e njoftoi Edtstadler-in për mandatin dhe kompetencat e Agjencisë Kundër Korrupsionit, për punën e deritanishme të këtij institucioni, për ndryshimet legjislative të cilat janë duke u bërë, si dhe për punën që ky institucion bënë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë. Në anën tjetër, znj. Edtstadler, ka konfirmuar mbështetjen e shtetit të Austrisë për Kosovën dhe përkrahjen e institucioneve vendore në përpjekjet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, rezultatet e të cilave do të kenë efekt pozitiv në liberalizimin e vizave dhe përafrimin e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për sfidat dhe për proceset integruese që po kalon Kosova, për zotimet e institucioneve Kosovare në angazhimet rajonale dhe ndërkombëtare në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Samiteve rajonale, si dhe për mënyrën e fuqizimit të mëtejme të rolit të Agjencisë Kundër Korrupsionit në luftimin e korrupsionit. Po ashtu, janë diskutuar mënyrat e gjetjes së aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta në edukimin dhe vetëdijesimin e pasojave e korrupsionit dhe për rëndësinë e integritetit të zyrtarëve të lartë publik dhe institucioneve publike.

Havolli ka falënderuar Edtstadler për mbështetjen e shtetit të Austrisë për Agjencinë në përpjekjet e përbashkëta për krijimin e një klime anti-korrupsion. Ndërkaq, Edtstadler së bashku me Ambasadorin z. Pfandler ka garantuar Havollin për mbështetjen Agjencisë në luftimin e korrupsionit dhe ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit për aktivitetet që kanë për qëllim zbatimin efikas të politikave kundër korrupsionit.

Të ngjashme