Hoti nga Rahoveci: Planifikojmë që të rrisim sipërfaqet e mbjella me vreshta si në 80-at

Prishtinë | 06 Tet 2020 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Avdullah Hoti bashkë me Ministrin e Bujqësisë Besian Mustafa dhe atë të Tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi ka mbajtur një takim me shoqatat e vreshtarëve dhe verëtarëve në Rahovec.

Ai ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar disa çështje, derisa ka shtuar se dyfishimi i subvencioneve në bujqësi i ka ndihmuar ata për t’u përballur me tregun e rënduar nga pandemia.

“Ne sot kishim takim me vreshtarët dhe verëtarët. Janë disa çështje që i diskutuam së bashku si mbështetja që Qeveria e Kosovës jep për komplet sektorin e bujqësisë, në veçanti për Rahovecin dhe fshatrat përreth, si dhe Suharekën që janë të specializuar në prodhimin e rrushit dhe verës”.

“Sivjet kemi dyfishuar subvencionet në bujqësi ku nga 24 milionë janë bërë 48 milionë që besoj se është ndihmë bukur e madhe për t’u përballur me kushtet e rënduara të tregut si rezultat i pandemisë”.

“Vetëm për vreshtat subvencionet rriten nga 1000 në 2000 euro për hektar, ndërkaq për litër të verës rriten nga 4 cent në 8 cent. Janë duke diskutuar brenda se si t’i kryjmë më shpejt procedurat e nevojshme në Ministri të Financave dhe atë të Bujqësisë në mënyrë që këto mjete të lëshohen sa më parë”.

Shefi i qeverisë ka deklaruar se lajmi i mirë është që grumbulluesit e rrushit i kanë hapur të gjithë, pa përjashtim, bodrumet e veta.

Ai ka thënë se bashkë me Ministrin e Bujqësisë i kanë informuar vreshtarët dhe verëtarët për planet afatgjate.

“I informuam me Ministrin e Bujqësisë për planet tona në sektorin e bujqësisë që të rrisim pjesën e granteve bashkë me donatorë ndërkombëtarë, dhe investimet publike që kemi për pesë vjetët e ardhshme për rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujitje, përfshirë edhe kodrat, me sistemin e Radoniqit dhe diga të tjera që planifikohen të ndërtohen në këtë rajon”.

“Planet afatgjate janë që të rrisim sipërfaqet e mbjella me vreshta nga rreth 3500 hektarë që janë në nivel vendi, prej të cilave 70 për qind janë në Rahovec, të çojmë në sipërfaqen që ka qenë gjatë viteve ’80. Si pjesë e MSA-së duhet të punojmë shumë me BE-në që të vendosemi në hartën e BE-së sa i përket prodhimit të verës”.

Të ngjashme