Ja çfarë duhet të bëjnë punëtorët pa kontrata për të marrë ndihmë financiare nga qeveria

Prishtinë | 02 Pri 2020 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka publikuar sqarime në lidhje me pakon emergjente të Qeverisë së Kosovës, për punëtorët të cilët punojnë pa kontrata.

Bislimi ka thënë qeveria do t’ua mundësoj punëdhënësve që të fusin këta punëtorë në listat e tyre të pagave për muajin mars. Në rast se nuk ndodh kjo, këta punëtorë duhet të raportojnë statusin e tyre në Administratën Tatimore të Kosovës.

“Për ata të cilët kanë punuar në “të zezën”, qeveria ka hapur një dritare që u mundëson punëdhënësve të fusin këta punëtorë në listat e tyre të pagave për muajin mars, dhe t’i pajisin me kontrata një vjeçare. Pastaj me efekt të menjëhershëm, këta punëtorë bëhen pjesë e përfitimeve nga pakoja (pika 1.14 e pakos). Në rast se nuk ndodh kjo, qeveria inkurajon punëmarrësit që të raportojnë statusin e tyre në administratën tatimore të Kosovës. Nëse punëdhënësit preferojnë të rrezikojnë edhe më tej operimin “në të zezën” dhe të ballafaqohen me konsekuencat ligjore përkatëse, atëherë punëmarrësit e prekur në raste të caktuara mund të përfitojnë nga pika 1.15 e pakos”, shkruan Bislimi.

Në këtë pako të emergjencave parashihet ndihmë edhe për punëtorët pa kontrata por edhe për ata që humbin venndin e punës në kohë të pandemisë, ka sqaruar Bislimi.

“Ne jemi të vetëdijshëm që një pjesë e punëmarrësve janë duke punuar pa kontrata. Ky lloj i angazhimit merr dy forma: ose punëtorët punojnë pa kontrata të vlefshme, por punëdhënësi i paguan rregullisht kontributet pensionale dhe obligimet tatimore; ose punëtorët angazhohen komplet në “të zezë”. Në rastin e parë mungesa e kontratës është gjithsesi problematike dhe ka nevojë të adresohet, POR kjo nuk ka efekt për pakon e masave emergjente. Kjo nënkupton, që për ne, në këtë fazë, mjafton informacioni që punëdhënësi i ka paguar kontributet pensionale dhe obligimet tatimore, andaj këta punëmarrës përfitojnë nga pakoja në të gjitha ato rastet kur punëdhënësi argumenton vështirësi financiare si pasojë e masave të qeverisë (pika 1.3.1 e pakos)”, sqaron Bislimi.

Punëtorë që kanë humbur vendin e punës si pasojë e masave të qeverisë, përfitojnë shumën prej 130 euro për tre muajt e ardhshëm.

“Nëse ka punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës pas shpalljes së masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në mesin e marsit 2020, atëherë këta punëtorë përfitojnë nga masa e tetë e pakos emergjente në shumën e 130 euro për tre muajt e ardhshëm”, shkruan Bislimi.

Të ngjashme