Jusuf Thaçi i drejtohet PDK-së, mos bëni opozitë idhnake

Prishtinë | 04 Shk 2020 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Analisti Jusuf Thaçi ka shkruar se Partia e udhëhequr nga Kadri Veseli e ka filluar opozitarizmin duke u bazuar në premisa të gabuar. Kjo pas deklaratave të deputetëve të PDK-së, në seancën që dje u mbajt në Kuvend, ku u votua qeveria e re, shkruan Gazeta Express.

Thaçi ka shkruar në Facebook se është i gëzuar nga shkuarja e PDK-së në opozitë, e kjo sipas tij për dy arsye.

Ai megjithatë shton se nuk i gëzohet opozitarizmit të dobët e të keq të PDK-së që siç thotë e ka parë në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.

“PDK dje përmes të gjitha fjalimeve të deputetëve të saj e kritikonte dhe e akuzonte LVV-në për rrugëtimit e saj opozitar deri te ardhja në pushtet. Përveç tjerash, më së shumti e kritikonte dhe e akuzonte LVV-në për ndryshim qëndrimesh, për ashpërsim të diskursit politik, për qëndrime radikale e për veprime të dhunshme. Përmes kësaj, drejtpërdrejt e tërthorazi, PDK zotohej se do t’ia kthente LVV-së opozitarizmin e vet (të PDK-së) me të njëjtën monedhë, në mos më keq. Në shikim të parë mund të duket se gjithçka është në rregull me këtë, parimi “sy për sy”, pse jo?! Duket përfundim i logjikshëm, rrjedhimisht qëndrim parimor. I tillë do të ishte sikur premisa kryesore të mos ishte e gabuar. Veç kësaj, ka edhe një kundërthënie logjike këtu: s’mund të përligjet kritika e akuza që i bën tjetrit për sjellje të keqe, duke premtuar se do të sillesh po aq keq, madje edhe më keq.

Të kthehem sërish te premisa e gabuar. Se në këtë rast premisa kryesore është e gabuar, duhet përmendur faktin se ka një dallim qenësor në mes “opozitarizmit hyrës” (një parti opozitare që garon për të ardhur në pushtet për herë të parë) dhe “opozitarizmit ciklik” (një parti opozitare që ka qenë më herët në opozitë dhe në pushtet)”, thotë ai.

Thaçi shton se çdo parti që bën opozitarizëm të dobët dhe të keq do t’ia zgjasë qëndrimin në opozitë vetes.

“PDK-ja duhet ta kuptojë shumë mirë këtë realitet dhe duhet të sillet në përputhje me të. Për këtë, PDK-ja duhet ta rikujtojë historinë e vet, procesin e vet të pjekurisë partiake 1999-2020, ku ka filluar atëherë e ku ka përfunduar sot. Për këtë, PDK-ja duhet ta gjykojë veten pse është në opozitë e jo t’i kritikojë të tjerët pse e kanë marrë besimin qytetar për të qeverisur me vendin. Për këtë, PDK-ja duhet të heqë dorë nga përdorimi e keq-përdorimi i historisë dhe duhet të mbështetet në të bëmat e veta në të kaluarën dhe në vizionin e vet për të ardhmen. Për këtë, PDK-ja duhet ta reformojë veten mirëfilli, duhet të nxjerrë në ballë të saj njerëz të aftë, të pastër, me integritet, të pjekur, të matur, bashkëpunues, racionalë e objektivë”, shton tutje.

Thaçi thotë se PDK-ja nuk duhet të vazhdojë që të prezantohet me njerëz që nuk dijnë që të lexojnë fjalimet e shkruara nga dikush.

“Në të kundërtën, nëse PDK-ja do të vazhdojë të prezantohet me njerëz që nuk dinë të lexojnë fjalimet e para-shkruara e me njerëz të konsumuar e të komprometuar nga pushteti i gjatë, nëse PDK-ja do të vazhdojë të bëjë opozitë idhnake e konfrontuese me akuza imagjinare (që do t’ua kishte lakmi edhe Dan Broun) e duke e projektuar veten te pushteti i tanishëm, nëse PDK-ja do të vazhdojë ta përdorë e keq-përdorë emrin e lavdinë e UÇK-së në vend se ta gjykojë keq-qeverisjen e vet e të ndërtojë vizion e ofertë për të ardhmen e vendit e për qytetarët, nëse PDK-ja nuk do të tregohet opozitë e pjekur, racionale, objektive e bashkëpunuese në proceset e rëndësishme, të brendshme e të jashtme, nëpër të cilat do të kalojë vendi ynë, atëherë PDK-ja që tani po i garanton qeverisjes aktuale pushtet së paku mbi dhjetëvjeçar.

Unë vërtet i kam kontribuuar ardhjes së LVV-së në pushtet (me aq sa kam mundur), por assesi nuk do t’i gëzohesha qëndrimit të saj në pushtet për më shumë se një dekadë pa ndërprerë (arsyet për këtë janë të vetëkuptueshme e të nënkuptueshme)”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme