Kadaj-Bujupi: Qeveria e majtë i harroi punëtorët e Trepçës, s’ka paga për ta në periudhën pandemike

Prishtinë | 15 Pri 2020 | 21:14 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që nuk ia ka paguar pagat punëtorëve të ndërmarrjes Trepça gjatë periudhës pandemike.

Ajo ka thënë se kjo është e paprecedentë, sidomos kur dihet se në pushtet është një parti që është deklaruar si e majtë, duke aluduar në Lëvizjen Vetëvendosjen.

Kadaj-Bujupi ka thënë se për Trepçën është diskutuar shumë, por i vetmi veprim konkret ishte ndërmarrë nga Qeveria Haradinaj kur ishte bërë realitet Ligji për Trepçën.

“Mospagesa e pagave ndaj punëtorëve të Trepçës e sidomos kur në pushtet është një parti deklarativisht e majtë, është e paprecedent. Për Trepçën është folur dhe diskutuar nëpër të gjitha fushatat zgjedhore, mirëpo asgjë apo shumë pak është vepruar. I vetmi veprim konkret ishte nxjerrja e Ligjit nga Qeveria Haradinaj. Sot, Qeveria në detyrë në kohë pandemie ende nuk ka kryer subvencionin që kanë pasur obligim ta përfundojnë madje në muajin Mars. E në anën tjetër, si pasojë e pandemisë Trepça nuk ka pasur shitje këtë periudhë, plus që ka ra shumë çmimi i koncentratit ne bursë. Të gjitha këto bashkë e pamundësuan krijimin e buxhetit për paga”, ka shkruar deputetja në Facebook.

Ajo ka bërë thirrje për reflektim nga ana e Qeverisë dhe që të mos rrezikohen 300 familjet e punëtorëve të Trepçës.

“Iu bëjë thirrje përgjegjësve që të veprojnë dhe të mos rrezikojnë mirëqenien e këtyre 300 familjeve në këtë kohë krize. Politika ska vend në kohë pandemie. Veproni sipas detyrës në mbrojtje të çdo qytetari të Kosovës!”, ka shkruar Kadaj-Bujupi në fund.

Të ngjashme