Kamberi falënderon Kurtin dhe liderët e opozitës pasi u rizgjodh deputet në Serbi

Prishtinë | 29 Pri 2022 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Prijësi i koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberi, ka falënderuar liderët politikë kosovë pasi ka fituar një tjetër mandat si deputet në Kuvendin e Serbisë.

“Më lejoni që sot t’i shpreh falënderim të veçantë 3 njerëzve që e përfaqësojnë sot më së shumti politikisht shtetin e Kosovës”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

“Ngase është vërtetë ndjesi tepër e mirë kur politika jote vlerësohet edhe nga pozita edhe nga opozita e Republikës së Kosovës”.

“Së pari, mirënjohje pafund Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti! Shumë faleminderit Albin. Është nderim i veçantë që politika jonë e shprehur në parlamentin e Serbisë gëzon mbështetjen e hapur dhe të plotë nga Ju, si Kryetar i Qeverisë dhe si bartës i listës më të votuar në Republikën e Kosovës. Kjo përkrahje shpërfaq përkushtimin Tuaj dhe të Qeverisë që kryesoni për interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të shtypur dhe të diskriminuar nga Republika e Serbisë”.

Pos kryeministrit, ai i falënderoi edhe dy krerët e partive më të mëdha opozitare, Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Së dyti, falenderime të përzemërta dy liderëve kryesor të opozitës në Kosovë, z.Memli Krasniqi dhe z.Lumir Abdixhiku. Memli dhe Lumir, pos tjerash, përkrahja juaj e vlefshme nga opozita ishte jo vetëm treguese e pjekurisë suaj politike në dobi të një politike sa më cilësore lokale shqiptare, por edhe në shërbim të ndërtimit të unitetit të Republikës së Kosovës karshi Luginës së Preshevës.”.

Kamberi tha Lugina e Preshevës do të jetë në një vijë me Kosovën dhe Shqipërinë, dhe pret bashkëpunim në këtë drejtim.

“Albin, Lumir dhe Memli, përkrahja e Juaj flet edhe për konsensusin aktual pozitë-opozitë në Kosovë për ushtrimin e një politikë të denjë shqiptare në Luginën e Preshevës të bashkërenduar midis nesh”.

“Për ta parandaluar degradimin e orientimit, organizimit dhe përfaqësimit të politikës shqiptare në Luginën e Preshevës”.

“Si deputet nga Lugina e Preshevës, me padurim pres të punojmë bashkërisht në këtë drejtim, me Ju dhe me të zgjedhurit e tjerë nga Lugina e Preshevës”.

“Shumë punë na presin. Por bashkërisht mundemi më shumë. Mundemi më mirë.”

“Lugina e Preshevës do të bashkërendohet me Kosovën dhe Shqipërinë. Kjo është e drejtë demokratike. Kjo është praktikë evropiane. Kjo është nevojë kombëtare”.

Të ngjashme