Kandidatët për noterë që u penalizuan nga vendimi i ministrisë paralajmërojnë masa

Prishtinë | 23 Shk 2020 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Një grup i kandidatëve të cilët i penalizoi vendimi i ministres Haxhiu për anulimin e provimit të noterisë, janë takuar dhe dakorduar për veprimet e mëtejme.

Ata thuhet se janë pajtuar që t’i ndjekin rrugët ligjore dhe t’i njoftojnë institucionet qendrore vendore dhe ato ndërkombëtare për pakënaqësitë e tyre.

“Sot u takuan një grup i kandidatëve për noterë, të cilët janë prekur me vendimin e MD për kthimin e procesit të përzgjedhjes në pikën zero. Ky grup u pajtua që të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimin e padrejtë dhe të jashtëligjshëm të minstres Albulena Haxhiu. Po ashtu u vendos që për pakënaqësitë e tyre të njoftohen të gjitha institucionet qendore dhe ndërkombëtare me mision në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, anuloi procesin e noterisë të mbajtur në prill të vitit të kaluar, nga ana e qeverisë që në atë kohë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Në një konferencë për media, Haxhiu tha se procesi nuk ishte ligjor, transparent dhe objektiv.

“Për këtë arsye, unë, si ministre e Drejtësisë, nuk mund të vazhdoj një proces që ka pasur parregullsi dhe ka humbur besimin. Nuk mund të vazhdoj me procesin ku shumica e kandidatëve që kanë kaluar provimin janë militantë të partisë, anëtarë ose miq të anëtarëve të Komisionit të Noterëve, ose anëtarëve të familjeve të tyre”, tha ajo, duke shtuar se ky proces tashmë është duke u hetuar nga Prokuroria”, tha ajo.

Të ngjashme