Kelmendi: Pa ndërhyrjen e ShBA-së problemet botërore zor zgjidhen

Prishtinë | 12 Maj 2021 | 18:54 | Nga Ekonomia Online

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Sali Kelmendi, ka folur për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Palestinës, ku mbetën të vdekur më shumë se 40 persona.

Kelmendi në Info Magazine në Klan Kosova tha se pa ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, problemet botërore zor se zgjidhen.

Ai theksoi se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, është treguar e ngathët në zgjidhjen e konfliktit.

“Rezoluta e Kombeve të Bashkuara, parashohin që Bregu Perëndimor, Jerusalemi lindor dhe Rripi i Gazës, të ju takojnë Palestinës. Në këtë drejtim Këshilli i Sigurimit mund ta luajë rolin e vet, nëse duan. Për arsye se kanë qenë mjaft të ngathët në zgjidhjen e problemit. Por, siç e kemi parë pa ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, problemet botërore zor zgjidhen”.

Kelmendi i cili ka qenë korrespodent i Radio Televizionit të Prishtinës për shumë vite, shtoi se nxitja me anë të deklaratave nga shtetet si, Irani, Turqia ose Rusia, çon në përshkallëzimit të situatës.

“Sa i përket reagimit të Erdoganit dhe disa të tjerëve. Irani dhe Turqia si vende me shumicë myslimane. Irani është shtet me shumicë islamike ndërsa Turqia jo, janë dy vende shumë të fuqishme. Por, ato që bëjnë politikë, përveç reagimeve nuk bëjnë diçka tjetër konkrete. Unë mendoj që nxitja nuk i shërben edhe aq shumë problemeve. Irani, Turqia, dhe Rusia duke e mohuar Izraelin dhe duke i nxitur palestinezët nuk e zgjidhin problemin, përkundrazi çon në përshkallëzimin e situatës”.

Të ngjashme