Kërkohet ligji për falje të gjobave të pandemisë e kompensimi i atyre që i paguan

Prishtinë | 07 Tet 2022 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Veç deputetëve, edhe qytetarët kanë hapësirë ligjore, që të iniciojnë ligje në Kosovë. Për këtë, nevojiten minimalisht 10 mijë nënshkrime.

Kjo mundësi, deri tani është shfrytëzuar vetëm dy herë, në krejt historikun e demokracisë kosovare.

Hera e fundit, ishte inicimi i projektligjit për faljen e gjobave të kohës së pandemisë COVID-19, që me inicim të Nol Nushit, u mblodhën rreth 11 mijë nënshkrime para më së një viti e gjysmë.

Por, tek këtë javë doli në Komisionin parlamentar për shëndetësi ky projektligj.

E pikërisht kjo vonesë, për Nushin, “është një neglizhencë e madhe e Kuvendit, që dekurajon qytetarët me inicu ligje”.

Nushi në “Sytë 7” në Klan Kosova. bëri me dije se kjo nismë ligjore, ka të bëjë me faljen e mbi 330 mijë qytetarëve që u gjobitën nga policia, Agjencia e Veterinës e Inspektoratet komunale.

Iniciuesi tha se në projektligj parashihet që tu kompensohen paratë edhe atyre që e kanë paguar gjobën në kohën e pandemisë.

Sipas tij, shumë dënime kanë qenë të pakuptimta, madje sa ishte kohë fushate, partitë politike nuk e dënuan “veten”, ndonëse mbanin tubime zgjedhore, të cilat ishin të ndaluara.

Nushi në “Sytë 7” tha se pavarësisht që nuk mori votat e Komisionit parlamentar të shëndetësisë kjo nismë, e njëjta ka shkuar në Seancë Plenare, e që pritet të hidhet në rend dite për diskutim javëve në vijim.

Në Komisionin për Shëndetësi, Vetëvendosje nuk e përkrahu këtë projektligj, derisa nga PDK e AAK, i dhanë dritën e gjelbër.

Të ngjashme