Këshilltari i Pacollit: AKR do të jetë pjesë e Kuvendit, megjithë deformimet nga komisionerët

Prishtinë | 17 Tet 2019 | 19:28 | Nga Ekonomia Online

Jetlir Zyberaj, shef i kabinetit të ministrit të Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, thotë se megjithë deformimin e vullnetit të popullit të Kosovës nga komisionerët, AKR me partitë tjera në koalicion do të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës.

“Megjithë deformimin e vullnetit të popullit të Kosovës nga komisionerët e pistë (siç i quajti kryetarja e KQZ-së) gjatë zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, AKR me partitë tjera në koalicion do të përfaqësohet në Parlamentin e Kosovës. Ky është një lajm i shkëlqyeshëm për demokracinë e Kosovës pasi vullneti i popullit nuk mund të ndryshohet”, ka thënë Zyberaj.

Sipas tij, askush nuk duhet të ketë frikë nga rinumerimi i kutive të votimit, vetëm ata që abuzuan me pozicionet e tyre dhe u përpoqën të ndryshojnë vullnetin e popullit.

“Është një sinjal i fuqishëm që demokracia jonë nuk mund dhe nuk do të pranojë abuzimin e vullnetit të elektoratit”, ka thënë ai.

Deri më tash, sipas rezultateve të fundit, koalicioni AKR-Nisma pas rinumërimit të 314 vendvotimeve i ka 4.99 për qind të votave, ndërsa kanë mbetur pa i numëruar edhe 24 mijë vota më kusht dhe dy mijë tjera të personave me aftësi të kufizuara.

Po ashtu, KQZ-ja sot ka marrë vendim që në rinumërim të shkojnë edhe 530 vendvotime, për shkak të parregullësive me formularët, si dhe mospërputhjes së numrit të votave të kandidatëve dhe partive.

Të ngjashme