Këshilltari i presidentit: Deputetët janë mbledhur edh kur VV-ja hidhte gaz lotsjellës në Kuvend

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi , Adil Behramaj i ka reaguar Nënkryetares së Kuvendit Arbërie Nagavcit, pas deklaratës se nuk ka kushte në kuvend për mbajtjen e seancës së mocionit.

Ai ka thënë se të zgjedhurit e popullit janë mbledhur edhe kur VV-ja,  ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, por janë mbledhur edhe me 2 korrik 1990 për gjendje të jashtëzakonshme.

Ky është postimi i  plotë i Behramaj:

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, paska thënë se nuk ka kushte të mblidhen të zgjedhurit e popullit për seancën e mocionit. Pra, të zgjedhurit e popullit nuk paskan mundësi ta bëjnë punën e tyre, ndërsa populli, punëtorët e Kuvendit, punëtorët e Qeverisë, vazhdojnë të bëjnë çdo ditë punën e tyre.

I lënë pa pajisje mbrojtëse, personeli shëndetësor po përkujdeset edhe për të infektuarit, kurse ju që jeni aty për të marrë vendime në emër të popullit, po fshiheni.

Dera e fundit që mbyllët në një shtet është dera e institucionit të të zgjedhurve të popullit.

Të zgjedhur e popullit janë mbledhur edhe kur ju keni hedhur gaz lotsjellës për t’i penguar punimet e Kuvendit të Kosovës.

Të zgjedhurit e popullit, se po duhet me u përsërit, duhet të mblidhen në kushte të rënda për ta shpallur edhe Gjendjen e Jashtëzakonshme.

Dhe, të zgjedhurit e popullit, më 2 korrik 1990, janë mbledhur edhe kur në Kosovë ka mbretëruar Gjendje e Jashtëzakonshme. Shumë raste paradoksale jeni!

Të ngjashme