Këshilltari i Thaçit: Albin Kurti mund ta udhëheq dialogun vetëm nëse bëhet president

Prishtinë | 15 Mar 2020 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

Adil Behramaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi ka thënë se legjislatura e tashme e Kuvendit është legjislaturë e territ.  Ai ka thënë se Kuvendi tinëzisht  e ka miratuar rezolutën për dialogun me Serbinë. Por, sipas tij Kurti mund të udhëheq me dialogun vetëm nëse bëhet president. Behramaj në një postim në Facebook ka thënë se Kushtetuta nuk ja lejon Kurtit të udhëheq me dialogun.

“Kjo është legjislaturë e territ, që natën ka zbarkuar në Kuvend dhe natën merr vendime. Në një situatë që vetë e quajnë të pazakonshme për shkak të pandemisë COVID 19, mendojnë zakonshëm për Serbinë dhe hedhin tinëzisht rezoluta dialogu për votim në 02:00 të natës. Popullin e kanë panikuar dhe karantinuar. Kurse, vetë në 02:00 të natës kanë festuar, pasi që përmes deriçkës së Serbisë, siç e quanin dikur, tash po mendojnë se e çajnë izolimin e tyre. Por, as pandemia dhe as Serbia nuk i shpëtojnë dot. Natën kanë ardhur dhe natën do të shkojnë. Ajo rezolutë dihet se ku do të përfundojë. Dhe, së shpejti do të përfundojë edhe kjo legjislaturë e territ dhe tmerrit, që po mundohet ta tjetërsojë rendin kushtetues dhe errësojë të ardhmen e Kosovës.”, ka thënë Behramaj.

Ai ka thënë se Albin Kurti mund të udhëheq dialog vetëm nëse bëhet president.

“Sepse, së pari, Kushtetuta kështu nuk ia lejon. Së dyti, fillimisht duhet të mësohet të negociojë, sepse historia e shtetit tonë të ri nuk njeh një negociator më të dobët se ai.  Parimet që për 20 vjet i kishte promovuar, ai për 20 ditë i shkeli. Gati pesë muaj nuk ishte i aftë të ndërtonte as partneritet për koalicion qeverisës. Por, i priti ditët e fundit të afatit kushtetues për t’u dorëzuar i tëri. Madje, duke e kurbanizuar edhe njeriun kryesor të tij. Të gjitha kërkesat e LDK-së që i kishte hedhur në koshin e plehrave, i kapërdiu në tërësi. Dhe, në fund, nga frika se paaftësia për të negociuar si dobësi mund t’i shndërrohej në përulësi publike, pjesën e marrëveshjes për president ishte lutur si fëmijë që ta fshihnin, për ta fshehur kështu përkohësisht edhe dobësinë e tij.”, ka shkruar Behramaj.

Ai është shprehur se Kurti, nga dikush që nuk kishte guxim ta bënte as një marrëveshje politike për t’u bërë vetë kryeministër, nuk mund të pritet të tregojë guxim për t’u bërë pjesë e një marrëveshjeje historike.

“Ai, në tërë jetën e tij, mezi ka gjetur guxim që ta nënshkruajë vetëm një marrëveshje politike, marrëveshjen me LDK-në! “, ka shkruar ai.

Të ngjashme