Këto janë gratë e PDK-së që bëhen deputete

Prishtinë | 27 Tet 2019 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Eliza Hoxha, Ariana Musliu-Shoshi, Evgjeni Thaçi-Dragusha, Ganimete Musliu, Blerta Deliu, Besa Ismaili, Filloretë Zejnullahu dhe Valdete Idrizi do të jenë deputete të PDK’së në Legjislaturën e VII.

Këngëtarja Eliza Hoxha ka arritur sukses dhe është bërë deputete. S’e ka pasur fatin e kolegeve të saj nëpër parti tjera që kanë dështuar të bëhen përfaqësues të popullit.

Ajo ka pasur numrin tre në listën PDK’së ndërsa kanë votuar pro saj 9 mijë e 256 votues.

E dyta në PDK në listën e grave deputete është Ariana Shoshi-Musliu. Ajo ka marrë 8 mijë e 778 vota.

Mbesa e Presidentit Hashim Thaçi, Envegjia është bërë përsëri deputete. Ajo ka marrë 8 mijë e 333 vota.

Ganimete Musliu vazhdon të përfaqësojë PDK’në në Parlamentin e Kosovës. Ajo ka fituar edhe në këtë mandat të bëhet përfaqësuese e popullit. Ka marrë 8 mijë e 240 vota.

Pjesë e Parlamentit të Kosovës do të jetë edhe ish-gazetarja e RTK’së. Blerta Deliu-Kodra ka marrë 8 mijë e 78 vota.

Edhe gruaja me mbulesë, Besa Ismaili ka arritur të behet deputete. Pavarësisht se është renditur e dyta në listën e grave në garën për deputete, ajo ka arritur të marrë vetëm 7 mijë e 876 vota.

Filloretë Zejnullahu është treguar më e fuqishme se ish-komandantët e UÇK’së së Zonës së Llapit. Ka arritur të marrë 7 mijë e 33 vota dhe do të jetë deputetja e vetme nga Podujeva në listën e PDK’së.

Këto të dhëna i ka siguruar Gazeta Express në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe nga Qendra për Numërimin e Rezultateve.

Humbësja e garës për Kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi do të jetë pjesë e Parlamentit. Ajo ka marrë 6 mijë e 226 vota.

PDK, për herë të parë prej pasluftës, doli e treta dhe ka vendosur të mbetet në opozitë. Ka qenë në pushtet prej vitit 2007, kur kishte fituar garën elektorale. Në dy mandate ka pasur pozitën e Kryeministrit ndërsa në dy mandatet e fundit ka qenë në pushtet por Shefi i Qeverisë ishte i partive tjera.

Kadri Veseli ka thënë se do të vazhdojë të mbetet në krye të PDK’së dhe s’ka dhënë asnjë shenjë se mund të largohet nga udhëheqja e Partisë.

PDK kishte përfunduar zgjedhjet partiake para zgjedhjeve derisa ende s’ka emëruar as Nënkryetarët dhe as Kryesinë. Vazhdon të funksionojë vetëm me Kryetarin në detyrë dhe Këshillin Drejtues.

Të ngjashme