Kjo është përbërja e re e Kryesisë së PDK-së, Krasniqi thotë se nuk ka pasur pakënaqësi rreth listës

Prishtinë | 05 Gus 2021 | 20:52 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të partisë se është votuar Kryesia e re e PDK-së, me 27 anëtarë, raporton Ekonomia Online.

Krasniqi ka thënë se nga këta 27 anëtarë, 10 ose 11 janë persona që nuk kanë qenë në të kaluarën në kryesi të partisë.

“Falënderoj të gjithë dhe të shpreh bindjen dhe vullnetin tim se kemi një ekip të jashtëzakonshëm. Jam i nderuar për të gjithë njerëzit që kanë pranuar t’i bashkohen PDK-së në këtë fazë. Rikthimi i PDK-së për të marrë besimin e qytetarëve fillon sot dhe unë kam një ekip të cilit i besoj. Në ditët në vijim do të shihni aktivitetet që na presin, nesër do të mbledh kryesinë për mbledhjen e parë konstituive dhe për të vazhduar me vendime të rëndësishme që na presin si kryesi dhe për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”, ka thënë Krasniqi.

Ai e ka mohuar se ka pasur kundërshtime të ashpra në mbledhjen e Këshillit Drejtues në lidhje me përzgjedhjen e anëtarë të rinj të Kryesisë, raporton EO.

“Këshilli drejtues është i madh, ka 150 anëtarë e më shumë është normale që të ketë edhe mendime të tjera. Këta 27 që janë përfaqësuese të cilët do ta qojnë PDK-në tutje, 16 vota ishin kundër, tri abstenime por absolutisht nuk ka pasur tensione, nuk ka pasur asnjë lloj kontestimi për listën. Mbështetja ishte e jashtëzakonshme dhe ky unitet që gjithmonë është duke u dëshmuar në kohën kur ne kemi sfida, për mua është inspirim për të vazhduar punën”, është shprehur Krasniqi.

I pari i PDK-së i ka lexuar edhe emrat e anëtarëve të rinj të kryesisë që janë: nënkryetarë Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Uran Ismaili e Ramë Buja. Sekretari i përgjithshëm sipas Krasniqit, Bajrush Xhemajli.

Ndërkaq, anëtarë janë: Bernar Nikaj, Donika Shahini, Jakup Nura, Bekim Qollaku, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaci-Dragusha, Sokol Bashota, Besa Kabashi Ramaj, Adri Nurellari, Rashit Qalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj-Gutaj, Blerand Stavileci, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtimi Gashi, Safete Hadergjonaj, Donjet Bislimi.

Komunikata e plotë:

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka zgjedhor sot Kryesinë e re e cila përbëhet nga zyrtarë të PDK-së që janë rritur organikisht në këtë parti dhe emra të rinj që i janë bashkuar vizionit të PDK-së dhe kryetarit Memli Krasniqi. Kryetari i ri i PDK-së, Memli Krasniqi tha para anëtarëve të Këshillit Drejtues se Kryesia e re e PDK-së do të përbëhet nga njerëzit e devotshëm të saj që kanë qenë në PDK që nga themelimi por edhe nga gra e djem të rinj profesionistë që besojnë në vizionin e PDK-së.

“Përbëhet po ashtu nga njerëz që kanë qenë shumë të rinj në fillet e PDK-së, e që si të rinj kanë besuar e kanë rrugëtuar me PDK-në deri sot, kur janë kalitur e janë të gatshëm për të zhvilluar betejat politike të saj. Përbëhet po ashtu nga njerëz që kanë përvojë në politikën kosovare jashtë PDK-së, e të cilët, tashmë janë të bindur se vetëm brenda PDK-së e me PDK-në, Kosova ecën në rrugën e duhur të zhvillimit e integrimit. Përvoja e të cilëve e plotëson mozaikun tonë gjithëpërfshirës e të pa alternativë. Dhe së fundmi, përbëhet po ashtu nga njerëz komplet të rinj, jo veç në PDK por edhe në politikë, të cilët janë vlerë e shtuar e që përbëjnë avantazh për ne, por që janë profesionistë, e njerëz kompetent me përvojë në fushat e tyre, të cilët sot na duhen e të cilët i kanë besuar vizionit tonë.

Pra, një kryesi, që e lidhë çdo hallkë të PDK-së, të përvojës së saj, të identitetit të saj, të profesionalizmit dhe qeverisjes së saj, dhe të perspektivës së saj në të ardhmen”, tha Krasniqi. Ai po ashtu tha se anëtarët e Kryesisë së PDK-së nuk janë aty për kurrfarë privilegji, por për përgjegjësitë që i presin, dhe siç tha ai, këto përgjegjësi janë të mëdha. “Kjo kryesi e re, do të prodhojë orientimin politik të PDK-së. Do të prodhojë orientimin ideor të saj. Do të prodhojë organizimin e saj. Do të prodhojë aktivizimin e saj. Do të prodhojë alternativën e qeverisjes me Kabinetin e Qeverisjes së Mirë. Pra një kryesi e punës dhe angazhimit”, tha ai. Por, kush janë emrat e rinj që për herë të parë u bënë pjesë e lidershipit të ri të PDK-së? Profesoresha e njohur e Psikologjisë, Donika Shahini-Lami i nga sot është bërë pjesë e Kryesisë së PDK-së dhe anëtare e Këshillit Drejtues. Profesoresha Donika Shahini-Lami, më parë ka punuar për 10 vite në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, OSBE.

Ajo po ashtu njihet për punën e saj si gazetare gjatë luftës në Kosovë si dhe ka punuar për Televizionin Publik Japonez, NHK si dhe ka bashkëpunuar me media të ndryshme ndërkombëtare. Në Kryesinë e re të PDK-së është zgjedhur edhe Jakup Nura, bashkëpunëtor i ngushtë i Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Bernard Nikaj – profesor, diplomat, ish- ambasador i Kosovës në Bruksel, po ashtu i është bashkuar PDK-së në Kryesinë e re. Nikaj është i shkolluar në disa prej universiteteve më prestigjioze botërore.

Anëtare e re e Kryesisë së PDK-së ështe zgjedhur edhe Besa Kabashi-Ramaj, e shkolluar në Universitete Amerikane, dhe me përvojë mbi 10 vjeçare në fushat e sigurisë ndërkombëtare, politikat e mbrojtjes dhe menaxhmentit. Ajo ka punuar për shumë organizata e fondacione të njohura vendore e ndërkombëtare. Pjesë e Kryesisë së re të PDK-së është bërë edhe Bekim Çollaku. Ai është i shkolluar në Britani të Madhe, me përvojë të gjatë institucionale e politike. Ai ka qenë bashkëpunëtor i afërt dhe shef stafi i kryeministrit dhe presidentit Hashim Thaçi.

Në Kryesinë e re të PDK-së është zgjedhur edhe Adri Nurellari, politolog, pedagog e publicist. Nurellari ka qenë më parë shef i kabinetit të kryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe keshilltar i ish-kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi. Sekretar i përgjithshëm i PDK-së është zgjedhur Bajrush Xhemajli. Kryesia e re e PDK-së me vendim të Këshillit Drejtues do të ketë pesë nënkryetarë dhe pesë sekretari. Nënkryetarë të PDK-së janë zgjedhur Vlora Çitaku, Uran Ismaili, Ramë Buja dhe Enver Hoxhaj. Anëtarët tjerë të Kryesisë së PDK-së janë zgjedhur emra të njohur të PDK-së dhe zyrtarë të kësaj partie që janë rritur organikisht në PDK e ata janë: Blerand Stavileci, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaçi – Dragusha, Sokol Bashota, Rashit Çalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj – Gutaj, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtim Gashi, Safete Hadergjonaj dhe Donjet Bislimi.

No description available.
No description available.
No description available.


Lexo më shumë:

Të ngjashme