Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin synon të mbyllë plagët e luftës

Prishtinë | 13 Dhj 2017 | 10:47 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka themeluar Ekipin Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Këtë ekip të prezantuar sot, presidenti Thaçi e ka cilësuar si hap të parë konkret drejt konkretizimit të kësaj iniciative të rëndësishme për shoqërinë dhe të ardhmen tonë.

“Ndër iniciativat e para që kam ndërmarr si president i Republikës së Kosovës, ka qenë edhe iniciativa për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. E kuptoj qartë se është një iniciativë që ka zgjuar reagime të shumta. I kemi pritur këto. Por, nuk e kemi pritur që kjo iniciativë do të marrë aq shumë përkrahje nga pjesa dërrmuese e shoqërisë dhe institucioneve kosovare. Kjo na ka inkurajuar, por edhe na ka obliguar që të lëvizim me hapa të kujdesshëm dhe të sigurt”, ka thënë ai.

Presidenti, Hashim Thaçi, në takimin e Ekipit Përgatitor për të Vërtetën dhe Pajtimin, tha se komisioni në fjalë do të mundësojë dialog të hapur brenda komuniteteve në Kosovë mbi bazën e pajtimit.

Sipas të parit të shtetit Komisionit për të Vërtetën synon të mbyllë plagët e luftës për të parë kah e ardhmja, raporton Ekonomia Online.

Thaçi tha se pas dy dekadave në Kosovë nuk sheh gjurmë të luftës, por ka ende plagë në zemrat e viktimave.

“Kemi kuptuar që hapat e ndërmarr para themelimit të Komisionit janë qenësore. Puna vetëm sa ka filluar, andaj përkrahja dhe angazhimi juaj do të jetë i nevojshëm edhe në ditët në vijim. Kemi pasur të njëjta dilema dhe shqetësime si ju, po ashtu kemi pasur frikë, por dhe besim të plotë për këtë iniciativë”.

“Kjo iniciativë është komplekse, me shumë pikëpyetje. Prandaj kemi vendosur të lëvizim me maturi në këtë drejtim. Kam iniciuar themelimin e këtij komisioni për të mbyllur plagët e luftës dhe për të parë kah e ardhmja për gjeneratat të cilat vijnë. Te mos lejojmë të përsëriten më dhimbjet e luftës”.

Ai u zotua se Ekipi Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ngritjen e komisionit, që nga aspekti teknik e logjistik deri te përgatitja e kornizës ligjore.

Kushtrim Koliqi, anëtar i ekipit përgatitor, tha se ky është vetëm fillimi i punës duke kërkuar mbështetje në këtë punë komplekse siç e ka quajtur ai.

“Ky është fillimi i punës dhe duhet me qenë të vetëdijshëm është e vështir me u marrë me trashëgimin e luftës, ky grup nuk mundet me bo punën vet po ne kemi me pas nevojë për ndihmë”.

Bajram Çerkini, kryetar i Këshillit koordinues të shoqatave për persona të pagjetur, tha se të rinjtë duhet të dinë të vërtetën e asaj çka ka ndodhur, por edhe duhet të vazhdohet tutje me pajtim.

“Për mu duhet me kuptuar çdo njëri sepse ky pajtim është për me ditë të vërtetën. Ne jemi vonuar sepse shoqëria jonë duhet me e ditë të vërtetën por edhe me u pajtuar me të gjeturat tona”.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka vlerësuar formimin e ekipit për komisionin për Pajtim dhe të Vertetën, iniciative kjo e nisur nga Presidenti Thaçi.

O’Connell tha se është e rëndësishme për të rinjtë që ta kuptojnë se çka ka ndodhur të të pajtohen që të mos përsëritet lufta.

“E vlerësojë këtë iniciativë, shumë e mirëseardhur dhe e nevojshme për Kosovën. Është e qartë që kosovarët janë ata që drejtojnë procesin, ndërsa ne ndërkombëtarët, miqtë e juaj e mbështesim, por është proces për Kosovën dhe shumë mirë që është marr një hap i tillë”.

“Është shumë e rëndësishme, sidomos për rininë që ta kuptojnë të vërtetën dhe të pajtohen që të mos përsëriten konfliktet e luftës. Ju urojë sukses dhe faleminderit qe me keni ftuar”.

Këtë iniciativë e ka përkrahur edhe kryetari i KMDLNj-së Behgjet Shala, i cili tha se ky është shans i mirë për t’i quar çështjet përpara.

“Pajtimi nuk është pikënisja e procesit, por është fundi i procesit kur të arrijmë tek rezultatet. Jam i vendosur që ky pajtimin të jetë vullnet i të gjitha palëve të përfshira në këtë dialog dhe të mos jetë çështje administrative”.

Nismën për themelimin e  Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, kreu i shtetit e kishte ndërmarrë në muajin shkurt të këtij viti. Deri tani janë mbajtur 5 takime konsultative.

Lexo më shumë:

Të ngjashme