Konjufca në Nyrnberg, shënohet 12-vjetori i Pavarësisë dhe njëvjetori i rithemelimit të Shkollës Shqipe

Prishtinë | 17 Shk 2020 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, pas përfundimit të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka udhëtuar në Nyrnberg, për të marrë pjesë në shënimin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe njëvjetorit të rithemelimit të Shkollës Shqipe në këtë qytet.

Para rreth 600 bashkatdhetarëve, shumë prej tyre nxënës dhe mësues të shkollës shqipe, ministri Konjufca i ka uruar pjesëmarrësit me rastin 12-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke shprehur konsiderata të larta për të gjithë ata që kanë kontribuar për realizimin e lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Konjufca është shprehur i gëzuar që është rihapur shkolla shqipe në Nyrnberg. Me këtë rasti, ai i ka ftuar bashkatdhetarët tanë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.

“Po shqyrtojmë mundësitë për të mbështetur riorganizimin dhe ristrukturimin e shkollës shqipe, përfshirë edhe ndarjen e një buxheti të veçantë për këtë çështje. Po ashtu, pak ditë pas krijimit të Qeverisë së re, dua t’ju siguroj se do të angazhohemi që të krijojmë edhe mundësitë që ju të votoni në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës”, tha ministri. ​

Të ngjashme