Konjufca: VV është kundër Gjykatës Speciale, por jo tani

Prishtinë | 23 Dhj 2017 | 00:10 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se VV-ja ka qenë gjithmonë kundër Gjykatës Speciale.

Por, Konjufca tha se kjo duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese e jo me nguti sikurse u tentua sot, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, prapa iniciativës për rrëzimin e Gjykatë Speciale qëndron presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

“Pse ka qenë kjo nguti, duhet të na shpjegojnë ata që e kanë bërë këtë”, tha Konjufca, në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

“Iniciativa për të hedhur poshtë Specialen ka ardhur nga Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj, të cilët paraqitën 43 nënshkrime nga deputetët. Deputetët që nënshkruan nuk e dinin që në emër të tyre po bëhej ligji më i shkurtë në historinë e Kosovës”, thotë Konjufca.

Më herët, VV ka pasur një takim me Lidhjen Demokratike, ku kanë marrë pjesë dhe ambasadori i ShBA-së dhe i Britanisë.

Konjufca rikujtoi se me LDK-në kanë pasur qëndrim të kundërt sa i përket Speciales, kur ajo ishte votuar.

“Ne interesohemi për interesin e Kosovës. Primare për neve është çka i bën kjo Gjykatë Kosovës. LDK është e interesuar për emra”, tha ai.

“Kjo është gjykatë një-etnike… Pa shfuqizimin e nenit të kushtetutës nuk shfuqizohet Specialja”, tha Konjufca, për gazetarët.

Ai tregon që projektligji përmbante vetëm dy pika. Njëra thoshte që Gjykata Speciale do të shfuqizohet e tjetra që ligji hyn në fuqi menjëherë.

“Vetëvendosja është kundër Speciales, por ne nuk manipulohemi dhe metodën e kundërshtimit do ta zgjedhim pas konsultimeve”.

Të ngjashme