Kosova me çmime në qiell, Rron Gjinovci fton për protesta në Shqipëri

Prishtinë | 13 Qer 2022 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Rron Gjinovci, aktivist e analist, i njohur për simpatinë ndaj Kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisjes së tij, fton shqiptarët në Shqipëri që të protestojnë kundër ngritjes së çmimeve. Aktivisti Gjinovci vepron në Prishtinë, ku çmimet e pothuajse çdo produkti dhe shërbimi, e enkas çmimi i naftës, po shkojnë duke u rritur në baza ditore.

“Në këto kushte, të durosh është luks që s’mund t’ia lejojmë vetës”, thotë një postim në profilin e Rron Gjinovcit. E ka për shtetasit e Shqipërisë. Atyre u kërkon të dalin në protestën e organizuar për të kundërshtuar rritjet e çmimeve.

Gjinovci shkruan se Qeveria e Shqipërisë po dëshmon çdo ditë se jo vetëm që është e kapur nga oligarkët, por edhe s’po arrin të administrojë krizën, përcjell Gazeta Express.

Me këto probleme për të cilat flet postimi, përballet edhe Kosova. Çmimi i naftës po rritet cdo ditë. Së fundmi nuk ka ndonjë nismë për organizimin e protestave. Janë disa propozime të opozitës për uljen e çmimit të naftës, të cilat i hodhi poshtë sot ministri i Financave, Hekuran Murati.

Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Gjinovcit:

S’MBAN MË UJË PILAFI

Rritja e çmimeve s’ka të ndalur. Nafta ka arritur 258 lekë/litër, ndërsa vazhdojnë të rriten çmimet e ushqimeve dhe çdo produkti të domosdoshëm. Shumica dërrmuese e qytetarëve gdhihen çdo ditë e më të varfër, më të grabitur e të nëpërkëmbur.

Qeveria po dëshmon dita-ditës jo vetëm kapjen nga oligarkët, por edhe inkompetencë kriminale në administrimin e krizës. Oligarkët përfitojnë miliona euro subvencione, kurse më të varfrit marrin thërrime të cilave po u skadon afati. Ndërkohë që pjesa më e madhe e shoqërisë nuk përfiton asnjë masë lehtësuese, bordet qeveritare janë shndërruar në kartele ku përligjet rritja skandaloze e çmimeve.

Në këto kushte, të durosh është luks që s’mund t’ia lejojmë vetes. Askush nuk mund t’i varë shpresat te një qeveri hajdute, e kompromentuar dhe e paaftë.

Populli duhet të marrë në dorë fatet e veta.

Të mërkurën, ora 18:00, nga Sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë.

Të gjithë në protestë

Të ngjashme