Kosova nikoqire e konferencës ndër-parlamentare për bashkëpunim rajonal

Prishtinë | 03 Mar 2017 | 09:47 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për zgjidhjen e problemeve dhe për një zhvillim të qëndrueshëm. Kështu u tha në konferencën ndër-parlamentare me temën “Politika e rrjeteve trans-evropiane dhe agjenda lidhëse” të organizuar në Prishtinë nga Parlamenti Evropian, në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës dhe Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, pjesë e Programit për Mbështetje 2017 të PE-së për parlamentet e vendeve në zgjerim.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, tha se organizimi i kësaj konferencë përcjell për sferën politike shumë mesazhe, raporton Ekonomia Online.

“Programi përcjell të gjitha vendeve në Ballkan se stabiliteti në Kosovë nuk është vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm për paqe në rajon. Me qëllim të krijimit të kushteve për një transport të sigurt autoritetet e Kosovës kanë obligim të sigurojnë një infrastrukturë në tërësi. Tashmë Kosova ka bërë disa hapa konkretë në ndërtimin e rrugëve, siç është ajo me Shqipërinë dhe janë në proces ajo me Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi”, tha ai.

Sipas tij, lëvizja e lirë e qytetarëve është domosdoshmëri e kohës. Haliti tha se i vjen keq që nuk kanë arritur ta sjellin në këtë konferencë përfaqësuesin e Serbisë.

“Ne po bëjmë dhe do të bëjmë të pamundurën sa i përket liberalizimit të vizave dhe do të përpiqemi që detyrat e shtëpisë t’i kryejmë ashtu siç kërkohet”, tha ai.

Kurse, Vedran Babiq, anëtar i delegacionit të Parlamentit kroat në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore tha se në 20 vjetët e fundit ky bashkëpunim i politikave ka lënë rëndësi të madhe në të gjithë rajonin.

“Detyra jonë është t’i caktojmë detyrat me të cilat përballemi. Bashkëpunimi rajonal hap mundësi për zgjidhjen e problemeve të reja dhe të vjetra”, ka pohuar ai.

Ndërsa, Gazmend Turdiu, zëvendës-sekretar gjeneral i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, theksoi se elementi kryesor i Strategjisë së BE-së 2020, është promovimi i integrimit në BE për tërë rajonin.

“Strategjia i ka 11 targete përmes së cilave e masin progresin e arritur në rajon, mirëpo kur i shikojmë rezultatet pas katër viteve të zbatimit tani mund t’i grupojmë këto targete në katër kategori. Ka tragete të cilat tashmë janë përmbushur dhe kjo është balancimi i tregtisë dhe krijimi i një ambienti më të mirë të të bërit biznes”.

“Në këto dy fusha tragetet që i kemi parapa veçse janë përmbushur dhe rajoni është duke përparuar shumë mirë në krijimin e një ambienti të mirë të të bërit biznes për zhvillim të tregtisë, mirëpo ka targete të tjera të cilat është e qartë se mund të përmbushen. Progres është bërë në draftimin e strategjive për ngritje të investimeve, gjithashtu është bërë edhe një zhvillim i mirë i arsimit në rajon”, ka thënë ai.

Të ngjashme